Presidenti amerikan Joe Biden njofton të martën se çdo i rritur në vend mund të vaksinohet duke filluar nga 19 prilli, rreth dy javë më herët se afati që kishte njoftuar ai më herët.
Ndërsa shtohen furnizimet me tre vaksinat në SHBA, zoti Biden tha javën e kaluar se rreth 90% e të rriturve amerikanë do të kualifikoheshin deri në datën 19 prill, por tani ai po e zgjeron këtë numër duke përfshirë të gjithë të rriturit që duan të vaksinohen.
Sondazhet në shkallë vendi tregojnë se rreth 20% e të rriturve thonë se për arsye të ndryshme do të refuzojnë të vaksinohen.
Disa kanë thënë se mendojnë se është e panevojshme ose se injeksionet mund të rezultojnë të dëmshme, ndërsa të tjerë kanë shprehur mosbesim tek një program i drejtuar nga qeveria.
Përqindja e atyre që kundërshtojnë vaksinat ka rënë gjatë muajve të fundit, pasi shumica e njerëzve të vaksinuar nuk kanë raportuar asnjë ose vetëm efekte të përkohshme që nuk zgjasin më shumë se një ditë.