ShBA-ja dënoi të enjten gjuhën raciste që disa grupe fanatike hebreje përdorën gjatë një marshimi të “ditës së flamurit” nga kolonët ekstremistë hebrenj, transmeton Anadolu Agency, përcjell Fol Drejt.
“Shtetet e Bashkuara e kundërshtojnë pa mëdyshje gjuhën raciste të çdo forme. Ne dënojmë thirrjet e urrejtjes si “Vdekje arabëve” gjatë marshimeve të sotme në Jerusalem,” tha zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në Twitter.
Forcat izraelite plagosën dy palestinezë, duke përfshirë një fëmijë, gjatë një demonstrate masive të enjten kundër marshimit të flamurit në Rripin e Gazës pranë kufirit të tij me Izraelin, sipas raporteve të mediave.
Mijëra izraelitë të ekstremit të djathtë u mblodhën në Jerusalemin Lindor të pushtuar për marshimin vjetor të “ditës së flamurit”, i cili u zhvillua këtë vit mes tensioneve të rritura.
Marshimi organizohet nga kolonët izraelitë çdo vit për të shënuar atë që ata e quajnë bashkimin e Jerusalemit, duke iu referuar pushtimit të qytetit nga Izraeli në vitin 1967.
Izraeli pushtoi Jerusalemin Lindor, ku ndodhet Xhamia Al-Aksa, gjatë Luftës Arabo-Izraelite të vitit 1967. Ajo aneksoi të gjithë qytetin në vitin 1980 në një lëvizje që nuk u njoh kurrë nga komuniteti ndërkombëtar.
Për muslimanët, Xhamia Al-Aksa përfaqëson vendin e tretë më të shenjtë të Islamit. Hebrenjtë e quajnë këtë zonë Mali i Tempullit, duke thënë se ishte vendi i dy tempujve hebrenj në kohët e lashta. /FolDrejt/