Sekretari i Mbrojtjes së SHBA-së, Lloyd Austin në një takim me presidentin e Egjiptit, Abdel Fattah El-Sisi diskutoi për bashkëpunimin në fushën e sigurisë mes dy vendeve dhe për luftën Ukrainë-Rusi.
Austin u takua në Pentagon me presidentin egjiptian Sisi i cili ndodhet në Washington për Samitin e Liderëve SHBA-Afrikë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Patrick Ryder, në një deklaratë lidhur me takimin, njoftoi se Sisi dhe Austin shkëmbyen mendimet rreth partneritetit të sigurisë mes dy vendeve dhe vështirësive globale kundrejt rendit ndërkombëtar të bazuar në rregulla.
“Sisi dhe Austin diskutuan për kërcënimet e ndryshme që përbën Irani, përfshirë furnizimin me mjete ajrore pa pilot (dronët) që Rusia përdor për të sulmuar civilët dhe infrastrukturën civile në Ukrainë. Sekretari Austin shprehu lëvdata për Egjiptin për lidershipin e ndërmarrë në rajon duke përfshirë organizimin e Konferencës së OKB-së për Ndryshimet Klimatike (COP27) dhe së fundmi marrjen e komandës së Forcës së Përbashkët Detare 153 e cila garanton sigurinë e Detit të Kuq”, tha Ryder.
Në takim, Austin dhe Sisi biseduan edhe për problemet e sigurisë rajonale, theksoi Ryder duke shtuar se “Sekretari potencoi respektimin e lirive themelore dhe rëndësinë e të drejtave të njeriut të cilat janë të detyrueshme për sigurinë dhe stabilitetin”./FolDrejt/