Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, deklaroi se SHBA-ja dhe Rusia do të kryejnë së shpejti bisedime konsultative për të filluar sërish inspektimet reciproke në kuadër të marrëveshjes “New START” që synon reduktimin e armëve bërthamore.
Me mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore taktike nga Rusia në Ukrainë, Moska dhe Washingtoni kanë ndërmarrë hapa për të parandaluar një rrezik të mundshëm bërthamor, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Price iu përgjigj pyetjeve të gazetarëve në një konferencë ditore për media. Ai tha se kanë rënë dakord që Komiteti i Koordinimit Dypalësh të realizojë takim në të ardhmen e afërt në përputhje me marrëveshjen “New START”.
Më tej, Price vuri në dukje se përmbajtja e punimeve lidhur me kontrollet e komitetit do të jenë të fshehta dhe se shpresojnë që ky proces të jetë konstruktiv.
“SHBA-ja është e fokusuar në reduktimin e rrezikut bërthamor”, shpjegoi Price, i cili nuk dha ndonjë detaj lidhur me vendin dhe kohën se kur do të mbahet takimi për të rifilluar inspektimet.
Komiteti u mblodh për herë të fundit në tetor të vitit 2021 dhe Rusia në muajin gusht me arsyen se SHBA-ja nuk ka lejuar inspektimet njoftoi pezullimin e punimeve të inspektorëve amerikanë për kontrollin e armëve bërthamore të Rusisë.
Marrëveshja “New START”, e nënshkruar në vitin 2010, kufizoi të dy vendet në një maksimum prej 1.500 kokash bërthamore strategjike të vendosura.
Marrëveshja po ashtu kufizoi në 800 edhe numrin e platformave të lëshimit dhe avionëve të rëndë bombardues.
Pas një periudhe të shkurtër pas ardhjes në detyrë të presidentit amerikan, Joe Biden, dy vendet në janar të vitit 2021 zgjatën marrëveshjen deri në vitin 2026./FolDrejt/