Komiteti Special i 6 Janarit i Dhomës së Përfaqësuesve që heton bastisjen e 6 janarit 2021 ndaj ndërtesës së Kongresit Amerikan, publikoi raportin përfundimtar pas një hetimi 18 mujor.
Raporti prej 845 faqesh u publikua 3 ditë pasi Komiteti me votat unanime të 9 anëtarëve kërkoi nga Departamenti i Drejtësisë që të ngre akuza kundër ish-presidentit të SHBA-së, Donald Trump për përpjekjet e tij për të anuluar zgjedhjet presidenciale të vitit 2020 dhe për të penguar dorëzimin e kompetencave. shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Kryetarja e Dhomës së Përfaqësuesve të SHBA-së, Nancy Pelosi në parathënien e raportit tha: “Raporti i Komitetit të zgjedhur thekson se institucionet tona demokratike janë po aq të forta sa angazhimi që u është besuar atyre”.
Raporti i përbërë nga 8 pjesë, krahas kuadrit të përgjithshëm lidhur me provat përfshin edhe rekomandimet ligjore ndaj Departamentit amerikan të Drejtësisë dhe Komitetit Etik të Kongresit.
Në raport Senatit i rekomandohet të miratojë Ligjin e Numërimit të Zgjedhjeve Presidenciale të miratuar nga Kongresi.
Gjithashtu në raport nënvizohet nevoja që Departamenti i Drejtësisë të marrë masa të përshtatshme për të parandaluar përfshirjen e avokatëve në aktivitete që synojnë cenimin e sundimit të ligjit dhe anulimin e zgjedhjeve të ligjshme.
Komiteti beson se mund të ndalohet përfshirja në detyrat qeveritare për ata të cilët janë betuar për të ruajtur dhe mbrojtur kushtetutën dhe më pas kanë marrë pjesë në bastisjen e 6 janarit.
Ish-presidenti Trump ka komentuar rreth raportit në rrjetin Truth Social, duke e cilësuar raportin përfundimtar si “jashtëzakonisht partizan” dhe “një gjueti shtrigash politike”.
– Komiteti i hetimit të 6 janarit
Komiteti Special i 6 Janarit i Dhomës së Përfaqësuesve i themeluar në qershor 2021 për të hetuar bastisjen e 6 janarit 2021 ndaj ndërtesës së Kongresit Amerikan, zhvilloi 8 seanca të hapura publike, mori deklaratën e mbi 1.000 personave në mënyrë të hapur ose të fshehur dhe shqyrtoi dhjetëra mijëra faqe dokumente.
Afati i detyrës së Komitetit përfundon në fund të vitit.
Komiteti deri më sot ka thirrur për të deklaruar shumë persona të afërt me Trumpin ndërkohë që Steve Bannon, ish-këshilltari i Trumpit dhe ish-shefi i kabinetit të Shtëpisë së Bardhë, Mark Meadows të cilët nuk iu bindën këtyre thirrjeve u akuzuan për “fyerje të Kongresit”./FolDrejt/