SHBA do t’i japë Ukrainës 1.2 miliardë dollarë ndihmë ushtarake afatgjatë për të rritur më tej mbrojtjen e saj ajrore, tha një zyrtar amerikan për Associated Press të hënën mbrëma, njofton Al Jazeera.
Paketa e ndihmës, e cila pritet të shpallet të martën, do të jetë nën Iniciativën e Ndihmës për Sigurinë e Ukrainës dhe do të jetë ndryshe nga ndihmat e tjera të SHBA-së në dërgimin e armëve dhe municioneve; në vend të kësaj, paratë do të dërgohen për të siguruar nevojat e ardhshme të sigurisë të Ukrainës.
Nisma e ndihmës do të financojë sistemet e mbrojtjes ajrore HAWK, municionet e mbrojtjes ajrore dhe dronët, sipas zyrtarëve që folën në kushte anonimiteti.
Përfshirë këtë paketë, SHBA i ka ofruar Ukrainës gati 37 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që nga pushtimi i Rusisë në shkurt 2022.
Paketa vjen gjithashtu pasi Ukraina nis një ofensivë të shumëpritur pranverore kundër forcave ruse./FolDrejt/