SHBA-ja do të dërgojë rreth 400 milionë dollarë ndihmë ushtarake shtesë në Ukrainë, përfshirë municione të sistemeve të avancuara të mbrojtjes ajrore dhe dronin “Hornet”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke folur për “Associated Press”, zyrtarët amerikanë deklaruan se paketa e ndihmave pritet të përmbajë municionin e nevojshëm për Sistemin e Raketave të Artilerisë me Performancë të Lartë (HIMARS) dhe Sistemin Kombëtar të Avancuar të Raketave Sipërfaqe-Ajër (NASAMS), mjetin ajrore pa pilot “Hornet” dhe një sërë municionesh ushtarake.
Zyrtarët, të cilët deshën të mbeten anonimë thanë se paketa shtesë e ndihmës kap vlerën e rreth 400 milionë dollarëve. SHBA-ja ka ofruar më shumë se 41 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për Ukrainën që nga fillimi i luftës Rusi-Ukrainë.
Së fundmi, më 19 korrik, Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagoni) njoftoi një paketë të re ndihme ushtarake prej 1.3 miliardë dollarësh për të mbështetur nevojat e Ukrainës në fushën e betejës.