Izraeli dhe SHBA-ja këtë javë pritet të nënshkruajnë një marrëveshje partneriteti strategjik gjatë vizitës së presidentit amerikan, Joe Biden.
Biden do të mbërrijë në Izrael nesër në kuadër të një turneu rajonal që po ashtu përfshin Bregun Perëndimor dhe Arabinë Saudite, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Siç raporton gazeta ‘Times of Israel’, një zyrtar izraelit tha se Biden dhe kryeministri izraelit, Yair Lapid, do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët për të ardhmen e marrëdhënieve të tyre dypalëshe.
Ai tha se “Deklarata e Kudsit” do të jetë një “platformë për bashkëpunim në vitet e ardhshme”.
Zyrtari, emri i të cilit nuk u përmend, e përshkroi Deklaratën e Kudsit si një “deklaratë historike”, e cila pasqyron natyrën unike të marrëdhënieve midis SHBA-së dhe Izraelit.
Sipas gazetës, dokumenti i Deklaratës së Kudsit thekson “përkushtimin e pathyeshëm të SHBA-së për sigurinë e Izraelit”./FolDrejt/