Shtetet e Bashkuara shprehën shqetësimin e tyre për, siç thanë, agresionin e vazhdueshëm të Rusisë kundër Ukrainës.
Deklarata vjen pas raporteve se Rusia ka rritur praninë e trupave të saj në kufi me Ukrainën dhe në Krime.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, bisedoi në telefon me homologun e tij ukrainas, Dmytro Kuleba, ndërsa shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë amerikane, gjenerali Mark Milley, bisedoi me udhëheqës të lartë ushtarakë në Rusi dhe Ukrainë, njoftuan Departamenti amerikan i Shtetit dhe Pentagoni.
Blinken riafirmoi mbështetjen e SHBA-së për Ukrainën “përballë agresionit të vazhdueshëm të Rusisë” dhe “shprehu shqetësim në lidhje me situatën e sigurisë në lindje të Ukrainës”, tha Departamenti i Shtetit.
Zëdhënësi i Departamentit amerikan të Mbrojtjes, John Kirby, tha se Pentagoni është në dijeni për raportet e ushtrisë ukrainase, që flasin për lëvizjen e trupave ruse më pranë kufijve të Ukrainës.