Ekonomia botërore është në një “gjendje më të mirë” nga ajo që pritej disa muaj më parë si pjesë e pasojave ekonomike të pandemisë së Covid dhe pushtimit rus të Ukrainës, tha në Bangalore Sekretarja e Thesarit e SHBA-së, Janet Yellen.
Yelen gjithashtu mbrojti forcimin e sanksioneve kundër Rusisë dhe mbështetje shtesë për Ukrainën, përcjell Fol Drejt.
“Ekonomia botërore është në gjendje më të mirë se sa parashikuan disa muaj më parë,” tha ajo në margjinat e takimit të Grupit të 20 (G20) të ekonomive më të mëdha në botë në Bangalore, Indi.
Ajo shtoi se të gjitha vështirësitë ende nuk kanë kaluar.
“Sfidat me të cilat përballemi janë reale dhe e ardhmja është ende e pasigurt, por perspektivat janë përmirësuar,” shtoi Jelen.
Duke folur për sanksionet e vendosura ndaj Rusisë pas fillimit të pushtimit të Ukrainës nga Moska, Yelen tha se ato kishin “një efekt negativ shumë domethënës ndaj Rusisë deri më tani”. Ajo vuri në dukje se Rusia tani ka një deficit të konsiderueshëm buxhetor, por gjithashtu theksoi se sanksionet duhet të forcohen dhe t’i jepet mbështetje shtesë Ukrainës.
“Ne duam të forcojmë sanksionet dhe të sigurohemi që të parandalojmë shkeljet e sanksioneve”, tha Yellen, duke shtuar se Rusia po kërkon mënyra alternative për të marrë pjesë dhe pajisje për të riparuar armët dhe pajisjet e dëmtuara në luftë, raporton AP.
“Ne kemi mbyllur shumë kanale përmes të cilave ata mund të marrin ato pajisje,” tha Yelen.
Ajo tha se SHBA-ja tani po fokusohet në mënyrë specifike në zbatimin e sanksioneve ekzistuese dhe futjen e mundshme të sanksioneve të reja.
Ajo tha se SHBA pret të japë 10 miliardë dollarë të tjera ndihmë për Ukrainën, mbi më shumë se 46 miliardë dollarë deri tani. Roli i Fondit Monetar Ndërkombëtar në këtë përpjekje është “kritik”, tha ajo.
Ministrat e financave të G20 dhe guvernatorët e bankave qendrore po takohen në Bangalore për të diskutuar një sërë çështjesh, duke përfshirë financimin e klimës, rregulloret e monedhës dixhitale, taksat globale dhe çështje të tjera financiare./FolDrejt/