Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dënuar sulmin kibernetik të Iranit ndaj Shqipërisë, ku në shënjestër ishte sistemi TIMS në aeroportin e Rinasit.
Këshilli i Sigurisë Kombëtare në Shtëpinë e Bardhë, përmes një postimi në Twitter deklaron se po mbështet Shqipërinë në përpjekjen për të kthyer në normalitet sistemin.
“Shtetet e Bashkuara dënojnë sulmin kibernetik të 9 shtatorit kundër aleatit tonë të NATO-s, Shqipërisë. Ky aktivitet keqdashës kundër Shqipërisë vjen pas sulmit kibernetik të 15 korrikut të kryer nga qeveria e Iranit. Qeveria e SHBA po mbështet përpjekjet e Shqipërisë për të zbutur pasojat e sulmit dhe të rikuperojë sistemin”.
Një ditë më parë, hakerat e sponsorizuar nga Irani kanë vënë në shënjestër sistemin TIMS që shërben për regjistrimin e hyrje daljeve në pikat kufitare.
Menjëherë më pas u ndoq protokolli fikjes të sistemit në mënyrë për mos ti dhënë mundësi avancimi hakerave, në marrjen nën kontroll të këtij sistemi, më i rëndësishmi për policinë shqiptare.
Tentativa për të vënë nën kontroll sistemin TIMS me qëllim final paralizimin e punës të policisë në pikat kufitare shqiptare ndodhi vetëm pak orë pasi Departamenti amerikan i Thesarit shpalli sanksione ndaj Ministrisë së Inteligjencës dhe Sigurisë iraniane dhe ministrit të saj, me akuzën ata se janë përgjegjës për sulmin kibernetik ndaj Shqipërisë.
SHBA akuzoi Iranin për përfshirje në aktivitete kibernetike kundër Shteteve të Bashkuara dhe aleatëve të saj, ndërsa sanksionet përfshijnë bllokimin e pronave të zyrtarëve dhe ministrive të mbajtura përgjegjëse./tch/
The United States condemns the September 9th cyberattack against our NATO Ally, Albania. This malicious activity against Albania follows the July 15 cyberattack conducted by the Government of Iran. The U.S. government is supporting Albania’s efforts to mitigate and recover.
— Adrienne Watson (@NSC_Spox) September 11, 2022