Rusia dhe Shtetet e Bashkuara do të zhvillojnë bisedime që në fokus do të kenë programin bërthamor të Teheranit.
Zëvendësministri i Jashtëm rus, Sergei Ryabkov, tha se është planifikuar një takim me të dërguarin e posaçëm të SHBA -së për Iranin, Robert Malley.
Diplomati rus i thash agjencisë së lajmeve Tass më 8 shtator se Moska dhe Uashingtoni kanë planifikuar konsultime “për një kohë mjaft të gjatë”.
Reuters ka cituar një zyrtar të lartë amerikan i cili ka thënë në kushte anonimiteti se bisedimet do të zhvillohen me fokus “diplomacinë karshi programit bërthamor të Iranit”.
Agjencia Ndërkombëtare e Energjisë Atomike (IAEA) ka konfirmuar raportet se Irani kishte rritur ndjeshëm kapacitetin e tij prodhues për 60 për qind uranium të pasuruar.
Marrëveshja bërthamore, e njohur si Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA), ia kufizon Teheranit pasurimin e uraniumit në shkallën 3.67 për qind.
Irani pretendon se ambiciet e tij bërthamore janë vetëm për qëllime civile.
Sipas marrëveshjes midis Iranit dhe Britanisë, Francës, Gjermanisë, Kinës, Rusisë dhe Shteteve të Bashkuara, Teherani ra dakord të pezullojë shumë nga aktivitetet e tij bërthamore në këmbim të lehtësimit të sanksioneve.
Presidenti Joe Biden, i cili mposhti Trumpin vitin e kaluar, ka thënë se ai dëshiron që Uashingtoni të ribashkohet me marrëveshjen bërthamore.
Më 27 gusht, Biden i tha kryeministrit izraelit, Naftali Bennett se në raport me Iranin ai e ka vënë “diplomacinë në rend të parë” në përpjekjen për të frenuar programin bërthamor të Iranit, por nëse negociatat dështojnë, ai do të ishte i përgatitur t’i drejtohej opsioneve të tjera.
Që nga muaji prill gjashtë raunde bisedimesh për ringjalljen e marrëveshjes së vitit 2015 janë mbajtur në Vjenë, por ato u ndërprenë pas zgjedhjeve iraniane në qershor.