Richard Grenell ka deklaruar në një intervistë për T7 se kryeministri Albin Kurti me veprimet e tij në Veri ka sjellë një dënim në unison nga komuniteti ndërkombëtar.
Sipas tij, është e paprecedentë që Kosova të dënohet nga Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Shtetit. Tutje, ai ka theksuar se nga ato që dëgjon në Uashington nga njerëz të punësuar në State Departament ka një frustrim me Kurtin, përcjell Fol Drejt.
“Kosova ka qenë gjithmonë një mik unik për SHBA-të, por të kesh dënim nga Departamenti i Shtetit i Joe Biden dhe Demokratët, të kesh dënim nga Shtëpia e Bardhë e Joe Biden dhe Demokratët ndaj një udhëheqësi të Kosovës është e paprecedentë dhe e tërë unike, dhe populli i Kosovës duhet ta kuptojë se deklarata e 3 qershorit që komuniteti ndërkombëtar bëri, duke kërkuar nga Albin Kurti të ndalojë veprimet unilaterale dhe të ndërmarrë hapa specifikë…” ka thënë Grenell.
“Ai nuk e ka bërë këtë, dhe do të ketë pasoja. Dëgjoj këtë në mënyrë të vazhdueshme nga Departamenti i Shtetit dhe njerëzit që punojnë aty, janë shumë të frustruar me Albin Kurtin” ka shtuar ai.
Grenell ka thënë se Kurti e ka ndryshuar reputacionin e Kosovës në skendën ndërkombëtare.
“Ne e dimë që për vite të tëra janë bërë marrëveshje të shumta për krijimin e Asociacionit të Komunave Serbe. Kjo nuk është bërë, kështu që Albin Kurti ka ndryshuar reputacionin e Kosovës në skenën ndërkombëtare. E di që ka shumë njerëz në Kosovë që e duan Albin Kurtin dhe më pëlqen mesazhi i tij kundër korrupsionit dhe pastrimit të qeverisë së Kosovës, ka shumë korrupsion në Ballkan, dhe më pëlqen ky aspekt. Më pëlqen që flet për përfshirjen e të rinjve. Dhe sigurisht që kemi parë shumë të rinj të përfshirë. Por të mos kemi dyshim, Albin Kurti ka ndërmarrë veprime unilaterale që kanë sjellë dënimin nga komuniteti ndërkombëtar si kurrë më parë”, ka theksuar ai./FolDrejt/