Jeffry Hovenier, ambasador i Shteteve të Bashkuara të Amerikës (ShBA) në Kosovë, ka thënë se janë të gatshëm t’i asistojnë qeverisë në hartimin e statutit për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, shkruan Fol Drejt.
“Në fund, kjo çështje do t’i përkasë dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja. Mirëpo, nëse Kosova dëshiron të konsultohet me ne, ose dikë tjetër, se si të çojë diçka përpara në mënyrë më të mirë, ne jemi të gatshëm ta këshillojmë” – ka thënë ai në një bashkëbisedim me gazetarët.
Ishte Presidentja Vjosa Osmani ajo që ditë më parë deklaroi se për këtë çështje duhet të kërkohet ndihmë nga ShBA-të.
Më 2013 është arritur marrëveshja për Asociacionin, por Gjykata Kushtetuese më 2015 pat vlerësuar se kjo marrëveshje nuk është në harmoni të plotë me Kushtetutën e Republikës së Kosovës.
Asociacioni, përndryshe, është një ndër pikat më të diskutueshme në procesin e bisedimeve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, i cili është zhvilluar tash e një kohë nën ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian./FolDrejt/