Në mesin e janarit, Shtetet e Bashkuara të Amerikës (ShBA), përmes Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Zhvillim Ndërkombëtar (USAID) i kanë ndarë 3 milionë dollarë shtesë ndihmë urgjente Kosovës për luftimin e Covid-19.
Në një komunikatë të USAID-it është thënë se kjo ndihmë do të mbështesë forcimin e mbrojtjes së fëmijëve të cenueshëm që janë goditur nga pandemia dhe do të sigurojë vazhdimësinë e ofrimit të shërbimeve sociale themelore.
Ajo gjithashtu do të përmirësojë shërbimet në terren në kuadër të sistemit të kujdesit shëndetësor parësor për të promovuar vaksinimin dhe digjitalizuar bazën e të dhënave mbi menaxhimin e rasteve të Covid-19 me qëllim të lehtësimit të shkëmbimit të shpejtë të informatave në mes të institucioneve shëndetësore.
“Shtetet e Bashkuara janë të përkushtuara ndaj partneritetit me Kosovën për t’i dhënë fund pandemisë Covid-19 dhe janë veçanërisht të fokusuara në zvogëlimin e ndikimeve të saj në popullatat e margjinalizuara. Luftimi i një pandemie globale kërkon përkushtimin e secilit prej nesh – prandaj, bëni pjesën tuaj të punës, lani duart, mbani maskë dhe vaksinohuni”, citohet të këtë thënë Zeinah Salahi, drejtoreshë e Misionit të USAID-it në Kosovë.
Sipas komunikatës, ndihma financiare prej 3 milionë dollarësh amerikan i është shtuar aktivitetit të reagimit ndaj pandemisë, i cili zbatohet përmes UNICEF-it dhe ndërton mbi ndihmën paraprake në vlerë prej 5.1 milionë dollarë amerikan për Covid-19 që USAID-i ka zotuar për Kosovën gjatë pandemisë.