Partnerët strategjikë të Malit të Zi kanë shtuar presionin që ky shtet t’i bashkohet nismës së Ballkanit të Hapur, ku janë pjesë Shqipëria, Maqedonia e Veriut dhe Serbia, ka thënë Zlatko Vujoviç, shefi i Qendrës për Monitorim dhe Kërkime, CEMI.
“Shtetet e Bashkuara kanë shfaqur dëshirën që Mali i Zi të jetë pjesë e nismës, megjithëse kjo është larg interesave të Malit të Zi. Kaq vende jostabël të bëra bashkë, do ta shkatërrojnë projektin e Ballkanit të Hapur. Këto vende, thjesht nuk janë në një nivel të tillë zhvillimi që të kenë qëllime kaq ambicioze” u shpreh Vujoviç në një intervstë për BIRN.
Shkaqet e refuzimit të Malit të Zi, sipas Vujoviç janë pasojat që do të ketë heqja e kufijve dhe lëvizja e lirë e mallrave dhe njerëzve dhe që siç shprehet ai mbart rreziqe që janë të vështira për t’u shpërfillur për momentin.
“Heqja e kufijve, jo vetëm do të mundësonte lëvizjen pa pengesa të mallrave dhe njerëzve, por do të hiqte pengesat edhe për drogën dhe cigaret kontrabandë” tha ai.
“Grupet kriminale do të përfitonin nga mungesa e kufijve dhe vendet e rajonit nuk i kanë burimet e nevojshme të sigurisë për të parandaluar ose kufizuar këto fenomene” u shpreh ai.