SHBA-ja u tha qytetarëve të saj që të largohen sa më shpejt që të jetë e mundur nga India, pasi ky vend po përballet me një valë shkatërruese të të infektuarve me koronavirus.
India raportoi për 379.257 raste të reja të të infektuarve, numri më i lartë në botë i regjistruar ndonjëherë brenda një dite.
Ambasada amerikane paralajmëroi qytetarët e saj se “qasja në të gjitha llojet e kujdesit mjekësor po kufizohet shumë”.
Numri i përgjithshëm i të vdekurve në Indi zyrtarisht është mbi 200.000, megjithëse ekspertët thonë se shifra mund të jetë shumë më e lartë. Spitalet e saj janë të mbingarkuara, ndërsa raportohet për mungesa medikamentesh, përfshirë oksigjenin.
Paralajmërimi vjen derisa SHBA-ja tha se po dërgon më shumë se 100 milionë dollarë furnizime në Indi, duke përfshirë gati një milionë teste të COVID-19.