Ministria izraelite e Mbrojtjes njoftoi se SHBA ka miratuar furnizimin e Gjermanisë me sistemin e mbrojtjes raketore ajrore “Arrow 3”, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Ministria në njoftimin e saj bëri të ditur se administrata amerikane ka miratuar kërkesën e Tel Avivit që Gjermania të blejë sistemin raketor mbrojtës “Arrow 3” nga Izraeli.
Departamenti Amerikan i Shtetit informoi ministrin izraelit të Mbrojtjes, Yoav Gallant, për miratimin zyrtar.
Në njoftim thuhet se pritet të nënshkruhet një marrëveshje historike me vlerë 3,5 miliardë dollarë midis Ministrisë izraelite të Mbrojtjes, Ministrisë Federale të Mbrojtjes së Gjermanisë dhe industrisë izraelite të aviacionit.
Ministria tha se kjo do të ishte marrëveshja më e madhe e mbrojtjes e Izraelit në histori.
Marrëveshja përfundimtare do të jetë gati për nënshkrim në fund të vitit 2023, pas miratimit nga parlamentet e dy vendeve.
Për Izraelin, “Arrow 3” është një shtyllë e rëndësishme në mbrojtjen e vendit, veçanërisht në të ardhmen, kundër raketave të mundshme me koka bërthamore.
Ky sistem i mbrojtjes ajrore-raketore mund të shkatërrojë raketat e armikut me rreze të gjatë dhe të mesme brenda dhe mbi atmosferën e Tokës.