SHBA-ja ka bërë të ditur se ka “prova të shumta” se Rusia po përdor dronët ushtarakë të prodhuar nga Irani për të sulmuar Ukrainën.
“SHBA filloi të paralajmërojnë në korrik se Irani po planifikonte të dërgojë dronë në Rusi për t’i përdorur në luftën brutale të Rusisë kundër Ukrainës dhe ne tani kemi prova të bollshme që këto dronë po përdoren për të goditur civilët ukrainas dhe infrastrukturën kritike civile”, tha në një deklaratë zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Ned Price, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Përderisa Irani vazhdon të gënjejë dhe të mohojë se i ka ofruar armë Rusisë për përdorim në Ukrainë, ne jemi të përkushtuar të punojmë me aleatët dhe partnerët për të parandaluar dërgimin e armëve të rrezikshme në Rusi”, tha Price.
Ai tha se SHBA nuk do të hezitojë të përdorë sanksione dhe mjete të tjera të përshtatshme kundër të gjithë atyre që janë të përfshirë në këto dërgesa.
“Ne gjithashtu do të vazhdojmë të rrisim ndihmën e paprecedentë të sigurisë për Ukrainën, duke përfshirë aftësitë e mbrojtjes ajrore, në mënyrë që Ukraina të mund të mbrohet nga këto armë”, shtoi ai.
Price tha gjithashtu se SHBA-ja iu bashkua iniciativës së Mbretërisë së Bashkuar dhe Francës në ngritjen e çështjes së dërgimit të dronëve nga Irani në Rusi në një takim të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Ai tha se në një konferencë me dyer të mbyllura të Këshillit të Sigurimit anëtarët u informuan nga ekspertët e Sekretariatit të OKB-së mbi raportet e dërgimit të këtyre armëve të rrezikshme.
“Ne shprehëm shqetësimet tona të thella për blerjen nga Rusia të këtyre dronëve nga Irani në kundërshtim me Rezolutën 2231 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, shtoi ai.
Irani ka hedhur poshtë pretendimet e Perëndimit se po furnizon Rusinë me dronë të prodhuar në vend, pasi Rusia në javët e fundit kreu disa sulme me dronë kamikazë në qytetet e Ukrainës dhe infrastrukturën kritike.
Imazhet e shumta të postuara në mediat sociale duket se shfaqin dronët Shahed të prodhuar nga Irani, të cilëve Rusia u referohet si Geran-2, në qiellin mbi kryeqytetin Kiev, si dhe mbetjet nga droni pasi ata goditën objektivat e tyre.
Të hënën, ministri ukrainas i Punëve të Jashtme, Dmytro Kuleba, i paraqiti një propozim presidentit Volodymyr Zelenskyy për të ndërprerë marrëdhëniet diplomatike me Iranin për shkak të furnizimit të Rusisë me këto dronë./FolDrejt/