Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, tha se Shtetet e Bashkuara “e kundërshtojnë fuqishëm” vendimin e kryeprokurores së Gjykatës Ndërkombëtare për Krime, për të nisur hetime zyrtare të krimeve të pretenduara në territoret palestineze. Blinken tha se “SHBA-ja është thellësisht e zhgënjyer”.
Izraeli reagoi ngjashëm, ndërsa palestinezët dhe organizatat e të drejtave të njeriut e mirëpritën vendimin.
Kryeprokurorja e Gjykatës Ndërkombëtare për Krime, Fatou Bensouda, tha të mërkurën se pas një ekzaminimi paraprak pesëvjeçar, zyra e saj do t’i hetojë ngjarjet në Rripin e Gazës, si dhe në Bregun Perëndimor dhe Jerusalemin Lindor – territore të pushtuara nga Izraeli – që nga qershori i vitit 2014.