Departamenti i Shtetit të SHBA-së lidhur me vendimin e Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP) për arrestimin e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin ka deklaruar se nuk ka dyshim se Rusia ka kryer krime lufte në Ukrainë dhe se përgjegjësit duhet të japin llogari, raporton Anadolu, transmeton Fol Drejt.
“Nuk ka dyshim se Rusia ka kryer krime lufte dhe veprime çnjerëzore në Ukrainë dhe ne kemi qenë të qartë se përgjegjësit duhet të japin llogari”, ka thënë Departamenti i Shtetit në një deklaratë me shkrim për Anadolu.
“SHBA-ja edhe më parë ka theksuar se rusët kanë kryer veprime çnjerëzore në Ukrainë”, tha Departamenti duke potencuar se krimet që forcat ruse kanë kryer shkelin ligjet ndërkombëtare dhe se këto krime nuk duhet të mbeten të pandëshkuara.
“Por, përcaktimet e SHBA-së lidhur me krimet e luftës dhe veprimet çnjerëzore të kryera në Ukrainë, janë të ndarë nga vendimet e pavarura të Gjykatës Ndërkombëtare Penale (GJNP)”, tha më tej Departamenti.
“Prokurori i GJNP-së është një aktor i pavarur dhe do të kryejë hetime duke u bazuar në provat e tij”, theksoi Departamenti i Shtetit i cili bëri të ditur se autorët e krimeve të luftës duhet të japin llogari.
SHBA-ja nuk është një prej vendeve palë të GJNP-së dhe kundërshton që veprimet çnjerëzore që Izraeli ka kryer kundër palestinezëve të referohen në këtë gjykatë.
GJNP-ja në kuadër të hetimit të kryer lidhur me krimet e luftës në Ukrainë njoftoi se për presidentin rus, Vladimir Putin dhe komisioneren ruse për të drejtat e fëmijëve, Maria Alekseyevna Lvova-Belova ka lëshuar urdhër arresti me arsyen e kryerjes së krimit të luftës./FolDrejt/