Zyra e Shefit Administrativ të Dhomës së Përfaqësuesve ka bërë të ditur se aplikacioni popullor për shpërndarjen e videove, TikTok, nuk do të lejohet në pajisjet zyrtare të përdorura nga ligjvënësit në Dhomë dhe stafi i tyre.
“Zyra e Sigurisë Kibernetike e ka konsideruar aplikacionin celular TikTok si një rrezik të lartë për përdoruesit për shkak të disa rreziqeve të sigurisë”, thuhet në një e-mail dërguar ligjvënësve dhe stafit, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
“Nëse e keni aplikacionin TikTok në celularin tuaj të Dhomës, do të kontaktoheni për ta hequr atë”, tha ai.
TikTok është shqyrtuar me shumë kujdes nga zyrtarët amerikanë, ndërsa FBI muajin e kaluar paralajmëroi se të dhënat e mbledhura në aplikacion mund të përdoren “me qëllim të keq” nga administrata në Pekin.
TikTok u përgjigj duke thënë se nuk ruan të dhënat e përdoruesve amerikanë në Kinë, ku ligji lejon qeverinë të detyrojë kompanitë të dorëzojnë informacione të brendshme.
Projektligji i shpenzimeve prej 1,7 trilion dollarësh që Senati miratoi javën e kaluar gjithashtu kodifikon një ndalim të përdorimit të aplikacionit TikTok në pothuajse të gjitha pajisjet e lëshuara nga qeveria amerikane, duke zëvendësuar iniciativat e mëparshme ku kufizimi vlente për një pjesë të vogël të agjencive qeveritare.
Pasi të miratohet si ligj, ndalimi do të përfshijë pothuajse të gjitha agjencitë qeveritare./FolDrejt/