SHBA njoftoi një pako të re të ndihmave ushtarake prej 400 milionë dollarësh për Ukrainën, ndërsa forcat e Kievit vazhdojnë të kryejnë kundërsulm në zona të mëdha të territoreve të pushtuara nga Rusia.
Kjo pako e ndihmës ushtarake përfshin financimin për raketat e mbrojtjes ajrore HAWK për transferimet e ardhshme në Ukrainë, 45 tanke të rinovuar T-72B me optikë të përmirësuar, pako të komunikimeve dhe jelekë antiplumb, si dhe 1.100 dronë Phoenix Ghost, njoftoi Pentagoni në një deklaratë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Tanket T-72B po dërgohen në Ukrainë si pjesë e një marrëveshjeje trepalëshe të koordinuar me Holandën dhe Republikën Çeke.
Janë përfshirë edhe 40 varka të blinduara, të dizajnuara për përdorim në lumenj dhe rrugë të tjera ujore të brendshme, si dhe financim për 250 automjete të blinduara M1117, sistemeve të komunikimit taktik të sigurt dhe para për të trajnuar forcat ukrainase dhe për të mirëmbajtur pajisjet e tyre.
Presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy falënderoi homologun e tij amerikan Joe Biden për pakon e fundit të ndihmës, duke theksuar veçanërisht furnizimin me automjete të blinduara, që ai tha se do të “na ndihmojnë të çlirojmë tokën ukrainase”.
“Ne e vlerësojmë këtë mbështetje të vazhdueshme”, u shpreh Zelenskyy në Twitter.
SHBA-ja deri më tani i ka dhënë Ukrainës më shumë se 18,9 miliardë dollarë ndihmë ushtarake që kur Biden mori detyrën në vitin 2021./FolDrejt/