Departamenti Amerikan i Mbrojtjes (Pentagon) ka pretenduar se themeluesi i grupit mercenar rus Wagner, Yevgeny Prigozhin, i cili humbi jetën në avionin që u rrëzua në Tver, është “vrarë”.
Sipas lajmit të The Hill, zëdhënësi i Pentagonit, gjeneral brigade Pat Ryder, ka folur lidhur me vdekjen e Prigozhinit, shkruan AA, përcjell Fol Drejt.
Duke theksuar se SHBA-ja mendon se Prigozhin është vrarë, Ryder tha se, “Vlerësimi ynë i parë, i cili bazohet në faktorë të ndryshëm, është në drejtimin se ai ndoshta është vrarë”.
“Nuk ka asnjë informacion që të konfirmojë pretendimet se ndaj avionit privat që u rrëzua është lëshuar një raketë tokë-ajër”, tha Ryder, duke shmangur komentin nëse ka shpërthyer apo jo ndonjë bombë brenda avionit.
Ngjarja
Ministria ruse e Emergjencave njoftoi se dhjetë persona humbën jetën si pasojë e rrëzimit të një avioni privat në rajonin Tver të Rusisë.
Agjencia Federale e Transportit Ajror të Rusisë (Rosaviatsiya) informoi se në mesin personave që humbën jetën në avionin e rrëzuar ndodhej edhe themeluesi i grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin.
Në disa kanale në Telegram të afërta me grupin Wagner u pretendua se avioni u rrëzua nga sistemet e mbrojtjes së ushtrisë ruse.
Prigozhin bashkë me luftëtarët e tij mercenarë më 24 qershor nisi një rebelim të armatosur kundër qeverisë ruse. Rebelimi përfundoi me ndërmjetësimin e presidentit bjellorus, Aleksandar Lukashenko./FolDrejt/