Zëdhënësi i Departamentit Amerikan të Shtetit, Ned Price, tha se në këtë fazë nuk bëhet fjalë për një takim të dytë me Iranin në kryeqytetin Doha të Katarit dhe se Irani ka bërë kërkesa që nuk kanë lidhje me marrëveshjen.
Në një konferencë ditore për media, Price iu përgjigj pyetjeve dhe tha se në takimin e zhvilluar në Doha mes Iranit dhe SHBA-së qeveria e Teheranit i ka “zhgënjyer” ata, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Price theksoi se Irani bëri kërkesa jashtë çështjes për rikthim në marrëveshjen e programit bërthamor, duke shtuar se kjo situatë nënkupton se Irani nuk është serioz dhe i sinqertë.
Në përgjigje të pyetjes se zyrtarët e Bashkimit Evropian (BE) kanë treguar përpjekje për një raund të dytë bisedimesh mes Iranit dhe SHBA-së gjatë vizitës rajonale të presidentit amerikan, Joe Biden, Price tha se, “Falënderojmë partnerin tonë BE-në për përpjekjet, por një takim i dytë nuk është në rendin e ditës”.
Price përsëriti se SHBA-ja është e vendosur për kthimin në marrëveshjen e programit bërthamor të Iranit që njihet edhe si “Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA)”, e cila u nënshkrua në vitin 2015 dhe nga e cila SHBA u tërhoq në vitin 2018. Price gjithashtu pretendoi se Teherani nuk e ka treguar ende këtë vendosmëri.
– Negociatat mbi programin bërthamor nga Vjena në Doha
Marrëveshja e parë, e quajtur Plani i Përbashkët Gjithëpërfshirës i Veprimit (JCPOA) për aktivitetet bërthamore të Iranit, u nënshkrua në vitin 2015 midis pesë anëtarëve të përhershëm të Këshillit të Sigurimit të OKB-së (Britani, SHBA, Kinë, Francë, Rusi), si dhe Gjermanisë dhe Iranit.
Sanksionet ekonomike kundër Iranit u rivendosën pasi ish-presidenti amerikan, Donald Trump, tërhoqi në mënyrë të njëanshme vendin e tij nga marrëveshja në vitin 2018. Pas kësaj, qeveria e Teheranit iu kthye gradualisht aktiviteteve të saj bërthamore.
Sipas Borrell, negociatat, të cilat filluan sërish vitin e kalaur në Vjenë të Austrisë, për zbatimin e JCPOA-së, u pezulluan më 11 mars për shkak të “faktorëve të jashtëm”.
Në kuadër të marrëveshjeve të arritura gjatë vizitës së Borrell-it në Teheran më 25 qershor, u vendos vazhdimi i negociatave në kuadër të zbatimit të marrëveshjes në Doha të Katarit. Pas kësaj, më 28-29 qershor në Doha u mbajtën bisedimet indirekte ndërmjet SHBA-së dhe Iranit./FolDrejt/