Ushtria amerikane ka rrëzuar një “objekt në lartësi të madhe” mbi Alaska, tha një zyrtar i Shtëpisë së Bardhë të premten.
Departamenti i Mbrojtjes po gjurmonte objektin mbi hapësirën ajrore të Alaskës në 24 orët e fundit, tha zëdhënësi i Këshillit të Sigurisë Kombëtare të Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, në konferencën e përditshme për shtyp, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
“Objekti po fluturonte në një lartësi 40.000 ‘feet’ (mbi 12.000 metra) dhe përbënte kërcënim të arsyeshëm për sigurinë e fluturimit civil”, tha ai.
Me këshillën e Pentagonit, presidenti Joe Biden urdhëroi ushtrinë të rrëzonte objektin, tha ai.
“Ne nuk e kuptojmë qëllimin e plotë. Nuk kemi asnjë informacion që do të konfirmonte një qëllim të deklaruar për këtë objekt”, shtoi Kirby.
Incidenti vjen vetëm disa ditë pasi SHBA-ja rrëzoi një balonë të dyshuar kineze të vëzhgimit të vërejtur në hapësirën ajrore amerikane në brigjet e Karolinës së Jugut./FolDrejt/