Zëdhënësi i Departamentit të Mbrojtjes së SHBA-së (Pentagon), gjeneral brigade Patrick Ryder tha se janë të shqetësuar se Kina e cila më parë ka shpallur paanshmërinë e saj në luftën Ukrainë-Rusi, mund të heqë dorë nga ky qëndrim i saj dhe të mbështesë Rusinë, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Duke iu përgjigjur pyetjeve në një konferencë ditore për media, Ryder tha: “Nuk e kemi parë ende Kinën t’i japë armë Rusisë, por e dimë që këtë opsion nuk e kanë hequr nga tryeza”. Ai bëri të ditur se kjo do të jetë me kosto për Kinën nëse i jep armë Rusisë dhe se e kanë paralajmëruar Pekinin.
Në pyetjen e gazetarit të AA-së se “Ju deklaruat se Kina ende nuk ka dhënë armë. Sipas asaj që duket, SHBA-ja po reagon herët ndaj mundësisë që Kina t’i japë armë Rusisë. Cila është çështja e shqetësimit më të madh këtu? Si do të ndikojë në fushën e betejës mbështetja e Kinës për Rusinë?, zëdhënësi i Pentagonit, Ryder tha se Kina si një vend i madh posedon armë teknologjike shumë më të përparuara.
“Ajo që do të shohim është se Kina e cila ka armë shumë të avancuara dhe e cila më parë ka shpallur paanshmërinë, do të mbajë anë dhe do të paraqitet duke thënë: ‘Pas kësaj jemi të përfshirë në anën e cila thotë se do të eliminojmë Ukrainën‘, dhe siç kam thënë më parë kjo do të zgjasë konfliktin”, shtoi Ryder.
Ai theksoi se SHBA-ja do të vazhdojë të mbështesë Ukrainën për sa kohë që vazhdon lufta.
SHBA-ja bashkë me paketën e ndihmës të njoftuar së fundmi ka siguruar deri më tani 32 miliardë dollarë ndihmë ushtarake për ushtrinë e Ukrainës./FolDrejt/