Shtetet e Bashkuara janë drejt realizimit të objektivit për të vaksinuar 200 milionë amerikanë deri në fund të prillit dhe administrata e Presidentit Biden po ndërmerr hapa për të ndihmuar vende të tjera me vaksina, duke emëruar një koordinatore për përgjigjen globale ndaj COVID-19.
“Aktualisht po administrojmë mesatarisht 3 milionë doza në ditë, mbi 20 milionë vaksinime në javë. Vetëm të shtunën, u njoftua se janë bërë mbi 4 milionë doza. Jemi vendi i parë që kemi vaksinuar plotësisht mbi 62 milionë persona”, tha presidenti Joe Biden.
Vendet e tjera u kanë bërë thirrje Shteteve të Bashkuara që t’i ndihmojnë me vaksina dhe në fillim të javës zoti Biden emëroi eksperten e shëndetësisë, Gayle Smith si koordinatore për përgjigjen globale të administratës ndaj pandemisë.
Smith mbështet dërgimin e vaksinave të tepërta jashtë vendit.
Ndërsa shumë vende me të ardhura të ulëta e të mesme kanë filluar imunizimin me vaksina kineze dhe doza të siguruara nga COVAX, mekanizmi i Kombeve të Bashkuara për shpërndarjen e vaksinave, ekspertët thonë se Shtetet e Bashkuara mund të bëjnë shumë më tepër se sa të ofrojnë dozat e tepërta.
Amerikanët gjithashtu po shkelin gjithnjë e më shumë protokollet shëndetësore, përfshirë një numër i madh njerëzish që festuan fitoren në një lojë basketbolli këtë javë.
“Kemi mbi 60,000 raste të reja çdo ditë. Dhe tani janë të rinjtë që po e përhapin virusin. Ata shkojnë në ndeshje sportive, shkojnë në restorante dhe bare”, thotë William Schaffner, profesor i Fakultetit të Mjekësisë në Universitetin Vanderbilt.