Shtëpia e Bardhë tha të hënën se nuk ka asnjë shenjë të aktivitetit të alienëve apo jashtëtokësorëve, pas rrëzimit të një sërë objektesh të paidentifikuara në hapësirën ajrore mbi Amerikën e Veriut.
“E di se ka pasur pyetje dhe shqetësime lidhur me këtë çështje, por jo nuk ka. Sërish e them, nuk ka shenja të aktivitetit të alienëve apo jashtëtokësorëve gjatë këtyre rrëzimeve të fundit”, tha zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre.
Të dielën, një gjeneral i forcave ajrore të SHBA-së tha se ai nuk mund të përjashtojë alienët apo ndonjë shpjegim tjetër.
Zyrtarët amerikanë thanë po ashtu se ende nuk ka arritur të identifikojnë objektet që fluturuan mbi Amerikën e Veriut.
Zëdhënësi për siguri kombëtare i Shtëpisë së Bardhë, John Kirby, tha se kontrolli më i rreptë i hapësirës ajrore mund të shpjegojë detektimin e objekteve fluturuese, por ende ata nuk kanë vlerësuar se ka rrezik për njerëzit në tokë nga këto objekte.
Sipas tij, këto objekte të paidentifikuara nuk kanë dhënë indikacione se kishin aftësi të manovrimit.
Brenda tetë ditësh, SHBA-ja ka rrëzuar katër objekte fluturuese, përfshirë edhe një balonë kineze, që Uashingtoni thotë se është përdorur për qëllime spiunazhi./REL/