“The New York Times”
Një vit pas tymit dhe xhamave të thyer, trekëmbëshit butaforik të vendosur në sheshin para godinës, dhe gjakderdhjes reale që e shoqëroi atë ditë të tmerrshme, është shumë joshëse të kthejmë kokën pas, dhe të imagjinojmë se ne në fakt nuk mund të bëjmë asgjë tjetër.
Të imagjinosh se ajo që ndodhi më 6 janar 2021 – një trazirë vdekjeprurëse brenda selisë së qeverisë amerikane, e nxitur nga një president i mundur, në mesin e një përpjekjeje të fundit të dëshpëruar për të penguar transferimin e pushtetit tek pasardhësi i tij – ishte e tmerrshme. Por ajo është e kaluara, dhe se ne si komb kemi ecur përpara. Ky është një impuls më se i kuptueshëm. Pas 4 vitesh kaosi, mizorie dhe paaftësie, që kulmoi me një pandemi dhe traumën deri para 1 vit të paimagjinueshme të 6 janarit 2021, shumica e amerikanëve ishin të dëshpëruar për pak paqe dhe qetësi.
Dhe në pamje të parë, e kemi arritur këtë gjë. Jeta jonë politike, duket pak a shumë normale këto kohë, teksa presidenti Biden i ka lënë mënjanë përplasjet në Kongres për hir të miratimit të projektligjeve të tij kryesore. Por nëse gërvishtni paksa nën sipërfaqe, do të shihni se gjërat janë larg nga të qenit normale.
6 janari nuk është një ngjarje që i përket tashmë së kaluarën. Përkundrazi, është ende aktual dhe ne po e përjetojmë çdo ditë. Këtë e shohim tek qytetarët e zakonshëm që kërcënojnë zyrtarët e zgjedhjeve dhe nëpunësit e tjerë publikë, të cilët nga ana e tyre pyesin:”Kur mund t’i përdorim armët?”, apo që zotohen të vrasin politikanët që guxojnë të votojnë sipas ndërgjegjes së tyre.
Ligjvënësit republikanë po përpiqen t’ua bëjnë më të vështirë votimin amerikanëve, dhe më të lehtë përmbysjen e vullnetit të tyre, nëse arrijnë që ta shprehin atë. Dhe është sërish Donald Trump, ai që vazhdon të ndezë “flakët” e konfliktit me gënjeshtrat e tij të shfrenuara, me vrerin e pakufishëm dhe me versionin e shtrembëruar të realitetit, që dominon ende një nga dy partitë kryesore politike në SHBA.
Pra republika përballet ende sot me një kërcënim ekzistencial nga një lëvizje që është haptazi përçmuese ndaj demokracisë, dhe që ka treguar se është e gatshme të përdorë dhunën për të arritur synimet e saj. Asnjë shoqëri që vetëqeveriset, nuk mund t’i mbijetojë dot një kërcënimi të tillë vetëm duke e mohuar ekzistencën e tij.
Përkundrazi, mbijetesa varet nga shikimi prapa dhe përpara në të njëjtën kohë. Të përballesh vërtet me këtë kërcënim, do të thotë të kesh plotësisht parasysh terrorin e asaj dite të një viti më parë. Kjo dje po ndodh falë punës së vazhdueshme të një komision hetimor dypartiak në Kongres.
Ne tanimë e dimë tani se dhuna dhe kaosi i transmetuar drejtpërdrejt nga televizionet në mbarë botën, ishte vetëm pjesa më e dukshme e përpjekjes për të përmbysur rezultatin e zgjedhjeve. Por përpjekja angazhoi edhe vetë Zyrën Ovale, ku zoti Trump dhe aleatët e tij komplotuan një auto-grusht shteti kushtetues.
Ne e dimë tashmë se ligjvënësit kryesorë republikanë dhe figurat e medias së krahut të djathtë, e kuptuan privatisht se sa të rrezikshme ishte trazirat, dhe iu lutën Trumpit që t’i ndalte ato, edhe pse publikisht pretenduan të kundërtën.
Dhe ne e dimë gjithashtu se ata mund të kenë informacione shumë me vlerë në lidhje me planifikimin dhe zbatimin e sulmit mbi Capital Hill, por refuzojnë të bashkëpunojnë me Kongresin, edhe nëse kjo mund t’i bëjë objekt të akuzave për mosbashkëpunim me drejtësinë.
Për momentin, puna e këtij komisionit vazhdon. Ai ka planifikuar një seri seancash dëgjimore publike për këtë vit, për të paraqitur këto dhe detaje të tjera, ndërsa ka planifikuar të bëjë publik një raport të plotë mbi gjetjet e saj përpara zgjedhjeve të mesit të mandatit, pas të cilave, në rast se republikanët do të rimarrin kontrollin e Kongresit siç edhe pritet, padyshim që ky komision hetimor do të shpërndahet.
Këtu vijmë tek nevoja për të parë përpara. Gjatë vitit të kaluar, ligjvënësit republikanë në 41 shtete, janë përpjekur që të çojnë përpara qëllimet e rebelëve të 6 janarit. Jo duke shkelur ligjet, por duke i ndryshuar ato.
Kështu ata kanë propozuar qindra projektligje, dhe kanë miratuar dhjetëra ligje që u japin mundësi parlamenteve në nivel shtetëror të sabotojnë zgjedhjet në shtetet e tyre, dhe të ndryshojnë vullnetin e votuesve të tyre, sipas një rezultati konkurrues nga një konsorcium jopartiak i organizatave pro-demokratike.
Disa projektligje synojnë të ndryshojnë rregullat, për t’ua bërë më të lehtë ligjvënësve që të refuzojnë votat e qytetarëve të tyre nëse nuk u pëlqen rezultati. Të tjerat i zëvendësojnë zyrtarët profesionistë të zgjedhjeve me përfaqësues partiake, që janë më të interesuar për fitoren e kandidatit të tyre të preferuar.
Ndërkohë janë shtuar përpjekjet për të kriminalizuar gabimet njerëzore nga zyrtarët zgjedhorë, në disa raste duke i kërcënuar ata me burg. Dhe mos harroni:shumë nga këto ligje po propozohen dhe miratohen në shtete që janë tradicionalisht përcaktuese në zgjedhjet presidenciale si Arizona, Uiskonsin, Xhorxhia dhe Pensilvania.
Pas zgjedhjeve të vitit 2020, shtabi i Trump paditi në gjykatë rezultatet e votimit në të gjitha këto shtete, duke kërkuar rinumërimin e votave, ose duke u kërkuar zyrtarëve që të gjenin votat “e munguara” për Trump. Kjo përpjekje dështoi, kryesisht falë profesionalizmit dhe integritetit të zyrtarëve zgjedhorë.
Që nga ajo kohë shumë prej tyre janë shkarkuar nga detyra, dhe janë zëvendësuar nga njerëz që e thonë hapur se zgjedhjet e fundit ishin të manipuluara. Kështu trazirat e Capitolit Hill vazhdojnë në një formë tjetër në të gjithë organet lokale, pa gjakderdhje, të legalizuara, dhe ku asnjë oficer policie nuk mund ta arrestojë askënd, dhe asnjë prokuror nuk mund të çojë kërkënd në gjykatë.
Kjo nuk është hera e parë që parlamentet lokale, përpiqen të heqin kontrollin e votës elektorale nga populli i tyre, dhe as hera e parë që vihen në dukje rreziqet e një manipulimi të tillë. Në vitin 1891, presidenti Benjamin Harrison e paralajmëroi Kongresin mbi rrezikun që një “mashtrim” i tillë mund të përcaktojë rezultatin e një zgjedhjeje presidenciale.
“Rreziku ynë kryesor kombëtar, është përmbysja e kontrollit të shumicës nga shtypja, ose shtrembërimi i të drejtës së votës popullore. Nëse një parlament në nivel shtetëror do të arrinte të zëvendësonte vullnetin e vet me atë të votuesve, rrezikohet seriozisht paqja publike”- tha ai.
Një parti politike e shëndetshme dhe funksionale, përballet zakonisht me humbjet e saj elektorale duke vlerësuar se çfarë shkoi keq, dhe duke dyfishuar përpjekjet e saj për të tërhequr më shumë votues herën tjetër.
Por ngjashëm me lëvizjet autoritare në mbarë botën, Partia Republikane është treguar kohët e fundit e paaftë për ta bërë këtë. Retorika e liderëve të kësaj partie, tregon se ata e shohin partinë e tyre si të vetmen fuqi legjitime qeverisëse, ndaj e portretizojnë fitoren e dikujt tjetër si rezultat të manipulimit.
Një tjetër sondazh i kohëve të fundit, ka rikonfirmuar se shumica dërrmuese e republikanëve besojnë se presidenti Joe Biden, nuk është zgjedhur në mënyrë legjitime, dhe rreth 1/3 e tyre e miratojnë përdorimin e dhunës për të arritur qëllimet politike. Bëjini bashkë këto shifra, dhe ja ku keni “recetën”që na çon drejt një rreziku ekstrem.
Dhuna politike nuk është një rezultat i pashmangshëm. Udhëheqësit republikanë mund të ndihmojnë duke qenë të sinqertë me votuesit e tyre, dhe duke luftuar kundër ekstremistëve që kanë në mesin e tyre. Përgjatë historisë së Amerikës, liderët e partive, nga Abraham Lincoln tek Margaret Chase Smith dhe John Mccain, kanë qëndruar në mbrojtje të bashkimit dhe demokracisë.
Por edhe demokratët nuk janë të pafuqishëm. Ata mbajnë të gjithë pushtetin qendror në Uashington. E megjithatë, deri tani kanë dështuar që të përballen me emergjencën e këtij momenti, duke qenë të pavullnetshëm ose të paaftë për të ndërmarrë veprime për të mbrojtur zgjedhjet nga përmbysja dhe sabotimi.
Zoti Biden dhe liderët e tjerë të Partisë Demokratike, duhet të përdorin fuqinë që kanë për t’i dhënë fund sfidës ndaj ligjeve për të drejtat e votës. Çfarëdo që të ndodhë në Uashington, në muajt dhe vitet në vijim, amerikanët e të gjitha shtresave që e vlerësojnë vetëqeverisjen e tyre duhet të mobilizohen në çdo nivel – jo thjesht një herë në 4 vjet, por sot dhe nesër – për të fituar zgjedhjet dhe për të ndihmuar në mbrojtjen e funksioneve themelore të demokracisë. /abcnews.al