Sekretari i Shtetit të SHBA-së, Antony Blinken në një bisedë telefonike me presidentin e Azerbajxhanit, Ilham Aliyev tha se vazhdon mbështetja e vendit të tij për bisedimet e paqes me Armeninë, njofton AA, transmeton Fol Drejt.
Zëdhënësi i Departamentit të Shtetit, Matthew Miller në deklaratën me shkrim tha se Blinken ka përsëritur “mbështetjen e tij për negociatat” mes dy vendeve dhe ka vënë theksin se në bisedime ka nevojë për “kreativitet, fleksibilitet dhe dakordim”.
“Sekretari Blinken nënvizoi nevojën për kalimet tregtare, humanitare dhe të automjeteve të veçanta nga korridori Lachin. Ai tha se të dyja palët duhet të ruajnë momentin pozitiv në negociatat drejt paqes së qëndrueshme dhe dinjitoze”, thuhet në deklaratë.
Sekretari Blinken nga Twitteri njoftoi se ka biseduar edhe me kryeministrin e Armenisë, Nikol Pashinyan.
“Dje kam biseduar me kryeministrin armen, për të përsëritur mbështetjen time të fuqishme ndaj përpjekjeve që vazhdojnë për të siguruar paqen me Azerbajxhanin. Rruga e vetme që shkon drejt paqes së përhershme në Kaukazin Jugor është dialogu dhe diplomacia e drejtpërdrejtë dhe jam i vendosur të ndihmoj për ta lehtësuar këtë”, tha Blinken në postimin e tij.