Kisha e Krishtit në Georgetown është ndër kishat më të vjetra të Uashingtonit. Është gjithashtu vendi ku mbërriti për herë të parë COVID-19, pasi Pastori Timothy Cole u bë pacienti i parë me koronavirus në qytet. Ai mori edhe një nofkë të re.
“Pacienti zero… është një nofkë që do të duhet kohë për t’u harruar“, thotë pastori.
Pastori Cole tashmë është vaksinuar, ashtu si pothuajse të gjithë personat e pranishëm në kishë. Ai u ka bërë thirrje besimtarëve të vaksinohen për të mirën e shëndetit të tyre dhe për mirëqenien e të tjerëve. Ai i gëzohet faktit që edhe drejtuesit e tjerë fetarë veprojnë po kështu.
Të dielën, përpara se Pastori Cole të shtrohej në spital pas infektimit, ai u shërbeu kungimin qindra besimtarëve në Kishën e Krishtit. Ishte një alarm që e zgjoi komunitetin.
“Isha këtu gjatë shërbesës së fundit të tij përpara se të diagnostikohej me COVID-19. Ajo eksperiencë na bëri shumë më të ndërgjegjshëm, do të thoja shumë më të kujdesshëm dhe të vetëdijshëm për çfarë duhet të bëjmë dhe çfarë jo“, thotë besimtari G. Richard Thompson.
Një anketim i fundit tregoi se një e treta e amerikanëve do t’i kthenin sytë nga një udhëheqës fetar për të vendosur nëse duhet të marrin vaksinën për COVID-19. Mbi gjysma thonë se duke u vaksinuar përmbushet aspirata për t’i dashur fqinjët.
“Tani që po i afrohemi asaj që shpresojmë të jetë fundi i kësaj eksperience, mendoj se njerëzit nga foltorja, qoftë në kisha apo xhamia dhe sinagoga, mund t’i ndihmojnë vërtet besimtarët në komunitetet e tyre të kuptojnë rëndësinë e vaksinimit dhe që ta marrin vërtet seriozisht“, thotë besimtari Chad Thorley.
Vaksinat janë tashmë të disponueshme për të gjithë njerëzit mbi moshën 16 vjeç me banim në Shtetet e Bashkuara. Qendra për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve thotë se deri më tani është vaksinuar të paktën 30% e popullsisë.