SHBA-ja po “rishikon” pasojat për Arabinë Saudite pas vendimit të OPEC+ për të ulur prodhimin e naftës, tha sot Sekretari i Shtetit Antony Blinken.
“Ne jo vetëm që jemi thellësisht të zhgënjyer për këtë, por mendojmë se është dritëshkurtër. Dhe siç e bëri shumë të qartë presidenti, ai vendim duhet të ketë pasoja dhe kjo është diçka që ne po e shqyrtojmë teksa flasim”, tha Blinken në një konferencë shtypi me homologun e tij meksikan, Marcelo Ebrard, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Blinken vuri në dukje se sauditët i kishin përcjellë SHBA-së privatisht dhe publikisht synimin e tyre për të reduktuar prodhimin e naftës, për të cilin ai tha se ata e dinin se do të rriste të ardhurat e Rusisë.
“Ne e bëmë të qartë se ky do të ishte drejtimi i gabuar. Vetëm mbi këtë bazë, ndikimi që do të kishte potencialisht mbi sanksionet, por edhe sepse jemi në një rimëkëmbje ekonomike globale. Rimëkëmbja është e brishtë”, tha kryediplomati amerikan.
Më herët, Shtëpia e Bardhë tha se vendimi i OPEC+, i kryesuar nga Arabia Saudite, për të ulur në mënyrë dramatike prodhimin global të naftës nënkupton “mbështetje morale dhe ushtarake” për luftën e Rusisë kundër Ukrainës.
Washington-i ka vazhduar të reagojë ndaj Arabisë Saudite për mbështetjen e saj për reduktimin e naftës nga grupi OPEC+ me 2 milionë fuçi në ditë, duke pohuar se Riadi punoi në prapaskenë për të ushtruar presion ndaj anëtarëve të bllokut që të votojnë në favor të vendimit duke e ditur mirë se nga kjo do të përfitonte Rusia.
Veprimi i OPEC+ ka rritur çmimet e naftës në nivel global, që është një rrjedhë e madhe e të ardhurave për Kremlinin, ndërsa Perëndimi dhe aleatët e tij përpiqen të kufizojnë aftësinë e Rusisë për të zhvilluar luftën tashmë tetëmujore kundër Ukrainës që filloi në shkurt./FolDrejt/