Pretendohet se Shërbimi Sekret Amerikan ka gjetur drogë dy herë në Shtëpinë e Bardhë vitin e kaluar, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Një zëdhënës anonim i Shërbimit Sekret raportoi se sasi të vogla të marijuanës u gjetën në Shtëpinë e Bardhë dy herë në vitin 2022, një herë në qershor dhe shtator, raportoi “Fox News”.
Duke thënë se askush nuk është arrestuar në lidhje me incidentin për shkak se sasia e marijuanës së gjetur në Shtëpinë e Bardhë është nën rregulloret ligjore në Washington DC, zëdhënësi tha se droga e gjetur ishte mbledhur dhe shkatërruar.
Posedimi i më pak se 0.2 ons (5.6 gram) marijuanë nuk është krim në Washington DC ndërkaq posedimi i drogës nuk lejohet në ndërtesat publike federale, përfshirë Shtëpinë e Bardhë.
Duke iu referuar zonës ku u gjet kokaina në Shtëpinë e Bardhë më 2 korrik, ligjvënësi republikan Lauren Boebert tha: “Kjo është ndoshta një zonë që ka nevojë për video-mbikëqyrje, veçanërisht pasi nuk është hera e parë që është gjetur drogë në zonën e Shtëpisë së Bardhë që kur Biden e mori detyrën”.
Boebert, një anëtar i Kongresit i informuar nga Shërbimi Sekret për kokainën e gjetur në kompleksin e Shtëpisë së Bardhë, deklaroi se Shërbimi Sekret pranoi se “humbën” çelësat e kutive që përmbanin kokainën.
Kongresisti demokrat Jamie Raskin argumentoi se testimi i qindra të dyshuarve të mundshëm do të ishte “një reagim shumë disproporcional dhe i ekzagjeruar që do të shkelte liritë civile të njerëzve”.
Shërbimi Sekret njoftoi sot se si rezultat i hetimeve për kokainën në Shtëpinë e Bardhë, nuk mund të përcaktohet se kush e ka futur drogën në kompleks.