Juria federale në SHBA vendosi të dënojë me vdekje Robert Bowers-in i cili vrau 11 persona në sulmin me armë ndaj një sinagoge në qytetin Pitsburg të Pensilvanisë në vitin 2018, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Juria e Gjykatës Federale në Pitsburg e përbërë prej 12 personash dënoi me vdekje Bowers-in me votë unanime. Bowers nuk reagoi teksa gjykatësi federal rajonal Robert Colville që ndjek çështjen lexoi vendimin e paraqitur.
Vihet në dukje se në vendimin e jurisë për dënimin me vdekje kanë qenë efektivë kryerja e sulmit nga Bowers me motivin kryesor “anti-semitizëm” dhe më pas mos shfaqja e asnjë pendese për këtë çështje.
Në vendim thuhet se avokatët mbrojtës nuk arritën të vërtetojnë argumentin se Bowers e ka kryer sulmin për shkak të “problemeve të shëndetit mendor”. Është e nevojshme që gjykatësi Colville të miratojë zyrtarisht në ditët e ardhshme vendimin e dënimit me vdekje.
Vendimi ndaj Bowers-it del në pah si dënimi i parë federal me vdekje i miratuar gjatë presidencës së Joe Biden, i cili ka bërë fushatë me premtimin për t’i dhënë fund dënimit me vdekje.
Bowers, i cili aktualisht është 50-vjeç, në sulmin me armë që kreu ndaj një sinagoge në qytetin Pitsburg më 28 tetor 2018, shkaktoi vdekjen e 11 personave dhe plagosjen e 6 të tjerëve, përfshirë 4 policë. Ai u gjet fajtor për 63 krime, përfshirë shkaktimin e vdekjes duke penguar praktikimin e lirë të besimeve fetare, përdorimin e armës së zjarrit për të kryer vrasje dhe krim të urrejtjes.
Më 13 korrik juria vendosi se dënimi me vdekje ndaj Bowers-it është i përshtatshëm ndërsa në seancën në fazën e dytë pas këtij vendimi, Prokuroria dhe mbrojtja paraqitën prova të tjera para jurisë për dhënien e vendimit përfundimtar nëse Bowers duhet të dënohej me vdekje ose me burgim të përjetshëm.