Departamenti Amerikan i Shtetit, njoftoi se ka zgjatur deri më 31 gusht 2024 vendimin i cili ndalon përdorimin e pasaportës amerikane për udhëtim në Korenë e Veriut, vendim ky i cili ka hyrë në fuqi në vitin 2017 dhe i cili rinovohet çdo vit, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Vendimi i Departamentit Amerikan të Shtetit, ka ardhur në një periudhë kur tensioni me Korenë e Veriut është rritur për shkak të programeve të tij bërthamore dhe të raketës balistike si dhe për shkak të situatës për ushtarin amerikan Travis King, për të cilin theksohet se ka hyrë “pa leje dhe në mënyrë të paligjshme” në Korenë e Veriut.
Në qarkoren e nënshkruar nga Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, thuhet se është zgjatur deri më 31 gusht 2024 ndalimi i udhëtimit të vendosur për shtetasit amerikanë që duan të shkojnë në Korenë e Veriut, përveç atyre që shkojnë me leje të veçantë.
Transmetohet se ky vendim është marrë me arsyen se shtetasit amerikanë mund të përballen me rreziqe të tilla si arrestime dhe ndalime afatgjata në Korenë e Veriut. “Nuk do të jetë e mundur të udhëtohet në Korenë e Veriut me pasaportë amerikane. Personat që duan të udhëtojnë në këtë vend duhet të marrin leje të veçantë”, thuhet ndër të tjera në deklaratë.
Ndalimi i përdorimit të pasaportës amerikane për të udhëtuar në Korenë e Veriut u iniciua nga sekretari i atëhershëm i shtetit, Rex Tillerson, në vitin 2017, pas vdekjes së studentit amerikan Otto Warmbier i cili u plagos rëndë teksa ndodhej në paraburgim në Korenë e Veriut.