Shtetet e Bashkuara kanë mbajtur stërvitje ajrore me Korenë e Jugut dhe Japoninë duke përfshirë bombardues strategjikë, një ditë pasi Koreja e Veriut lëshoi një raketë balistike ndërkontinentale Hwasong-15 (ICBM), njofton Al Jazeera, transmeton Fol Drejt.
Shefat e Shtabit të Përbashkët të Koresë së Jugut thanë se stërvitjet të dielën demonstruan aftësitë dhe gatishmërinë “dërrmuese” të mbrojtjes së aleatëve.
“[Stërvitjet] forcuan aftësinë e kombinuar të operacionit dhe konfirmuan angazhimin e hekurt të Shteteve të Bashkuara për mbrojtjen e Gadishullit Korean dhe zbatimin e parandalimit të zgjeruar”, tha ushtria e Koresë së Jugut në një deklaratë.
Japonia fluturoi avionë luftarakë F-15 mbi Detin e Japonisë me bombardues amerikanë B-1 dhe avionë luftarakë F-16, tha në një deklaratë Ministria e Mbrojtjes e Japonisë. Ai e quajti mjedisin e sigurisë “gjithnjë e më të rëndë” pasi raketa e fundit e Koresë së Veriut u ul brenda Zonës së saj Ekskluzive Ekonomike.
Raketa balistike me rreze të gjatë u ul në det në brigjet perëndimore të Japonisë pasi Koreja e Veriut paralajmëroi për një përgjigje të fortë ndaj stërvitjeve të planifikuara ushtarake nga Koreja e Jugut dhe SHBA.
Agjencia shtetërore e lajmeve KCNA tha se Koreja e Veriut testoi një Hwasong-15 nga aeroporti i Phenianit të shtunën në atë që e quajti një “stërvitje të befasishme lëshimi ICBM”./FolDrejt/