Përfaqësuesi i posaçëm i Bashkimit Evropian në Kosovë dhe shef i zyrës, Ambasadori Tomas Szunyog i ka bërë thirrje Qeverisë së Kosovës që të tregojë kujdesin e duhur në procesin e vettingut.
Në intervistën ekskluzive për Telegrafin, ku Szunyog foli për pritjet që BE-ja ka nga Qeveria e Kosovës pas krijimit të saj, kur u pyet për procesin e Vettingut, ai u shpreh se “Një masë e tillë duhet të fillohet vetëm nëse ekzistojnë të gjitha kushtet e nevojshme të mundshme”.
“Duke pasur parasysh se ekzistojnë disa mekanizma të përshtatshëm, mbase institucionet duhet më tepër të përqendrohen në përdorimin e tyre më të mirë të mundshëm. Në vend se të investojnë në gjetjen e instrumenteve të reja, mënyra më e mirë e mundshme dhe më efektive do të ishte përdorimi efektiv i atyre ekzistuese”, tha ai.
“Në këtë drejtim, ne i bëjmë thirrje qeverisë që të tregojë kujdesin e duhur dhe përkatës në marrjen në konsideratë të masave të tilla si rivlerësimi i plotë i personelit të sundimit të ligjit, përkatësisht ‘Vettingun’. Një masë e tillë duhet të fillohet vetëm nëse ekzistojnë të gjitha kushtet e nevojshme të mundshme, gjë që nuk është tani në Kosovë”, theksoi shefi i Zyrës së BE-së në Kosovë.
I pyetur në lidhje me konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, ai u shpreh se presin të marrin draftin e parë të ligjit dhe ta vlerësojnë atë.
“Ne shpresojmë të marrim draftin e parë të ligjit dhe ta vlerësojmë atë. Masat e reformës të parashikuara në të duhet të jenë në pajtim me parimet e parashikuara në Kushtetutën e Kosovës dhe të drejtat themelore të individëve”, theksoi ai.