Bankat evropiane kanë rezerva të mjaftueshme kapitali dhe mund të përballen me trazirat aktuale, tha kryetari i takimeve të ministrave të financave të eurozonës Paschal Donohoe në një intervistë për gazetën gjermane Frankfurter Allgemeine Zeitung (FAZ).
Rezervat e kapitalit u lejojnë atyre të menaxhojnë rreziqet aktuale për sistemin bankar dhe atë global financiar, tha ministri irlandez i financave, duke shtuar megjithatë se nuk ka vend për një qëndrim “të lehtë”, përcjell Fol Drejt.
Eurogrupi është një organ jozyrtar i ministrave të financave të eurozonës, të cilët takohen me dyer të mbyllura një ditë përpara një takimi të ministrave të BE-së për të koordinuar çështjet që lidhen me eurozonën. Në takime zakonisht marrin pjesë Presidenti i BQE-së dhe Komisioneri i BE-së për Ekonominë dhe Financat.
Donohoe është i shqetësuar për situatën aktuale
Masat e marra në Evropë sollën rezultatet e dëshiruara dhe kjo është e vërtetë edhe sot, pohoi Donohoe, duke pranuar megjithatë se situata aktuale e shqetëson pak.
Ai gjithashtu theksoi se bankat janë të gatshme për një rritje të mëtejshme të normave të interesit në eurozonë. Banka Qendrore Evropiane (BQE) njoftoi se do t’i ngrejë sërish në seancën e sotme.
Duke iu referuar propozimit për ndryshimin e rregulloreve të BE-së për borxhin publik dhe deficitin buxhetor, Donohue vuri në dukje se Eurogrupi arriti të mbajë një qëndrim të unifikuar, pavarësisht fjalëve vendimtare të ministrit të Financave, Christian Lindner.
Komisioni Evropian po mbron fleksibilitet më të madh në rregulloret për reduktimin e borxhit./FolDrejt/