Presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, ka përsëritur angazhimin e Bashkimit Evropian (BE) ndaj politikës së zgjerimit me vendet e Ballkanit Perëndimor deri në vitin 2030, duke deklaruar se blloku evropian duhet të jetë gati për anëtarë të ri, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Komentet e shefit të Këshillit Evropian erdhën në Bled të Sllovenisë në ceremoninë e hapjes së Forumit Strategjik, një platformë globale për gjenerimin e ideve dhe shkëmbimin e pikëpamjeve mbi shoqërinë bashkëkohore dhe të ardhmen e saj.
“Zgjerimi nuk është më një ëndërr. Koha është për të ecur përpara. Ka ende shumë punë për të bërë. Do të jetë e vështirë, do të jetë komplekse dhe ndonjëherë e dhimbshme për shtetin e ardhshëm anëtar dhe për BE-në, por le të jem i qartë. Nëse duam të jemi të besueshëm, duhet të flasim për kohën. Ne duhet të flasim për detyrat tona të shtëpisë. Ne duhet t’i vendosim vetes një objektiv të qartë, duhet të jemi gati në të dy anët deri në vitin 2030 për t’u zgjeruar”, tha Charles.
Siç theksoi Charles, tani është koha që si blloku evropian ashtu edhe vendet kandidate të trajtojnë sfidat e zgjerimit.
“Koha është për të trajtuar sfidat me qartësi dhe ndershmëri”, tha ai.
Në samitin e liderëve të BE-së, të mbajtur në Selanik të Greqisë në vitin 2003, gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor u caktuan “kandidatë të mundshëm”.
Derisa Kosova dhe Bosnjë e Hercegovina ende konsiderohen “kandidatë të mundshëm”, Shqipëria, Maqedonia e Veriut, Mali i Zi dhe Serbia kanë fituar statusin e “vendeve kandidate”.
Në qershor të vitit 2022, Ukraina dhe Moldavia po ashtu u shpallën vende kandidate.