Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, ka deklaruar se plani për dërgesat e grurit nga Ukraina është arritur në parime të përgjithshme pas një takimi midis zyrtarëve turq, ukrainas, rus dhe të Kombeve të Bashkuara (OKB).
Gjatë një video-konference, ministri Akar tha se palët po punojnë për ta kthyer këtë në një plan konkret të zbatueshëm, shkruan AA, transmeton Fol Drejt.
Në një takim të mërkurën e kaluar midis zyrtarëve turq, ukrainas, rus dhe të OKB-së u ra dakord për të krijuar një qendër koordinimi në Istanbul për të ndihmuar në eksportet e grurit ukrainas.
Akar theksoi se në takim delegacionet ushtarake ukrainase dhe ruse për herë të parë u ulën në një tryezë me anëtarët e OKB-së.
Ai theksoi se gjatë javës pritet të diskutohen çështjet për ngritjet e qendrës së operacioneve në Istanbul, kontrollet e përbashkëta në daljet e porteve dhe në pikat e mbërritjes, si dhe për garantimin e sigurisë së lundrimit në rrugët e transportit.
Sipas figurave të OKB-së, të paktën 4.900 civilë janë vrarë në Ukrainë që nga fillimi i luftës më 24 shkurt. Mbi 15 milionë persona po ashtu janë detyruar të lëshojnë shtëpitë e tyre, përfshirë të paktën 8.4 milionë që kanë ikur jashtë vendit./FolDrejt/