Ministrja e mbrojtjes Radmilla Shekerinska është prononcuar në lidhje me përdorimin ligjit të gjuhëve në Armatën e Maqedonisë, duke komentuar se për këtë temë nuk është diskutuar fare. Sipas saj, në armatë duan të diskutojmë për tema dhe sfida reale – për pajisjet primare dhe ushtarake, kazermat, përgatitjen fizike etj.
“Sa i përket uniformave nuk do të ketë probleme të mëdha. Këtë çështje e kemi dërguar në Komisionin e Venecias, për tu deklaruar, pa e futur në ligj. Nëse shkoni në cilëndo kazermë dhe nëse i shikoni uniformat, në to ka vetëm dy informacione të shkruar – emri i ushtarit dhe emri i shtetit. Edhe të parën edhe të dytën dikush e ka të shkruar në shkrim cirilik, dikush tjetër në shkrim latin. Kur shkojnë në misione ndërkombëtare të gjithë e vendosin e emrin e shtetit në shkrimin latin. Nuk mendoj se kjo çështje do të ndikoj realisht në jetën dhe punën e ushtarëve.” – ka deklaruar Shekerinska, shkruan Telegrafi.mk.
Shekerinska ka shtuar se nuk do të ketë dygjuhësi në urdhrat ushtarake, sepse kjo do të funksiononte me vështirësi dhe kjo nuk ka qenë çështje fare e shtruar gjatë bisedimeve për zbatimin e Ligjit për gjuhët.