Deri në formimin e Qeverisë së re në Spanjë, deklaratat për ndikimin e zgjedhjeve atje ndaj ratifikimit të protokollit për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO, do të mbeten spekulime. Nënkryetarja e Qeverisë, Radmilla Shekerinska pret që si fillim Holanda dhe Franca ta votojnë ratifikimin, ndërsa nga Spanja presin sinjal pozitiv pas seancës konstituive në parlamentin spanjoll.
Sot mund të fillojë seanca plenare në Parlamentin e Holandës dhe pres që të përfundojë gjatë kësaj jave. Presim që deri në fund të nëntorit protokolli të ratifikohet edhe në Francë. Mbetet vetëm ratifikimi në Spanjë për të cilin informacion më konkret mund të kemi pasi të formohet Qeveria e re. E mira është se zgjedhjet kanë përfunduar dhe kanë filluar negociatat për Qeveri. Në fillim të dhjetorit pritet seanca e parë konstituive. Çdo spekulim në këto rrethana, do të mbetet thjeshtë spekulim – tha Radmilla Shekerinska, nënkryetare e Qeverisë.
Kryeministri Zoran Zaev pret që deri në fund të janarit, parlamenti Spanjoll t’i jep dritën jeshile protokollit përfundimtar. Në zgjedhjet e së dielës, ekstremja e djathtë Vox rriti numrin e votave në Kuvend, ndërsa Socialistët humbën ulëse. Rënie për 10 vende shënuan edhe liberalët e Siudadanos. Ekspertët spanjoll duke komentuar rezultatet kanë prognozuar se është pothuajse i pamundshëm formimi i një Qeverie ku çdo subjekt i djathtë ka nevojë për votat e të majtës ose anasjelltas me qëllim formimin e shumicës së nevojshme. Deri tani, protokollin për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në NATO e kanë votuar 26 shtete anëtare. Pas ratifikimit të plotë, në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut duhet ratifikohet marrëveshja përfundimtare për anëtarësim.