Kryeprokurori i Prokurorisë Speciale të Republikës së Kosovës (PSRK), Blerim Isufaj, ka mbajtur të premten takimin e radhës me ekipin e përbashkët për përzgjedhjen dhe shënjestrimin e krimeve të rënda, ku kanë shënjestruar dy raste të reja me një numër të madh të personave të përfshirë në vepra të ndryshme penale.
Rasti i parë i shënjestruar, sipas njoftimit nga Prokuroria Speciale, është i koduar “Jimi”, në të cilin janë të përfshirë disa persona për veprat penale “Shpëlarja e parave’’.
“Prokuroria Speciale ka propozuar për konfiskim të përhershëm të dy automjeteve të cilat janë sekuestruar nga të pandehurit në vendin e ngjarjes, të kartëmonedhave në shumë prej 125.240 euro, si dhe të celularëve nga të pandehurit”, thuhet në njoftim.
Ndërkaq, në rastin e dytë, i cili është i koduar me emrin “Kamera”, janë të përfshirë disa persona, për veprat penale bazë ‘’Krim i organizuar’’.
Nga ky rast janë sekuestruar 143.395 kg narkotik, nëntë vetura, 13.000 euro si dhe 15 celularë.
Shënjestrimi i rasteve të korrupsionit të profilit të lartë dhe krimit të organizuar nga institucionet kosovare bëhet si pjesë e përpjekjes për të prezantuar rezultate konkrete në fushën e mbizotërimit të ligjit.
Rastet e shënjestruara duhet të jenë të lidhura me keqpërdorim të vlerave të mëdha të parave përmes zyrtarëve publikë e që pas përfundimit të rastit, pasuria e fituar jashtëligjshëm duhet të konfiskohet./21Media/