Krahas 50-vjetorit të Kongresit të Drejtshkrimit, po pesë dekada ka mbushur edhe Katedra e Gjuhës dhe Letërsisë Shqiptare në Shkup.
E lidhur me këtë rast ka reaguar Zeqirija Ibrahimi, si pjesë e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëvë në Shkup.
Në kumtesën e tij lidhur me këtë jubile, Ibrahimi e ka cilësuar këtë katedër jo vetëm si njërën nga katedrat e albanologjisë, por si institucionin i cili i ka dhënë trajtë, shpirt dhe orientim kombit shqiptar në Maqedoninë e Veriut.
“Profesorët e kësaj katedre ishin parafraza e Konsultës Gjuhësore të Prishtinës, ishin parimi fonetik i Kongresit të Drejtshkrimit në Tiranë, ishin kryefjala e Akademisë Pedagogjike në Shkup, ishin toponimi shqip në krye të “Flakës së vëllazërimit”, ishin kallëzuesi i Universitetit të Tetovës, si edhe metafora e Institutit të Trashëgimisë Shpirtërore e Kulturore të Shqiptarëve, por ata janë edhe në listat e shkrimtarëve, intelektualëve dhe personaliteteve publike, që sot i përmend me pietet secili institucion shkencor jo vetëm në vendin tonë.”, ka thënë Ibrahimi.
“Prandaj, kur shënohet 50-vjetori i kësaj katedre, në fakt kujtohet mundi i të gjithë atyre që me punën e tyre të vyeshme, të kujdesshme për shkak të rrethanave dhe të dobishme për nga rezultatet, ia kanë dalë që edhe në kohë të vështira ta mbajnë gjallë gjuhën shqipe dhe kulturën shqiptare.”, ka shtuar ai tutje./FolDrejt/