Kryeministri i Republikës së Kosovës, Albin Kurti, ishte i ftuar dhe në mësin e folësve në akademinë solemne për 70-vjetorin e themelimit të Institutit Albanologjik.
Me një fjalë rasti, para të pranishmëve, kryeministri Kurti tha se jeta dhe veprimtaria e Institutit ishte e lidhur ngushtë me fatin e popullit që e përfaqësonte, me fatin e popullit shqiptar.
Kryeministri Kurti, duke kujtuar themeluesit e Institutit Albanologjik, vendimi i të cilit u shpall më 29 korrik 1953, tha se të merresh me të kaluarën, do të thotë të hedhësh dritë në të tashmen dhe në të ardhmen.
Instituti Albanologjik u bë institucioni i parë kërkimor-shkencor, që do të merrej vetëm me studimin e kulturës shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve pas Luftë së Dytë Botërore. Nga ky vështrim Instituti Albanologjik paraqet Institutin e dritës, sidomos për shqiptarët e Kosovës dhe për ata të trojeve të tjera nën ish-Jugosllavi.
“Veprimtaria jetëshkurtër e Institutit, në fazën e parë, hapja në vitin 1953 dhe mbyllja në dhjetor të 1955, ishte tregues i qartë i ballafaqimeve të pandalshme të shqiptarëve me politikën shoviniste serbomadhe të kohës, në krye të së cilës ishte ministri i atëhershëm, i Brendshëm, Aleksandër Rankoviq, që përpiqej me çdo kusht ta bënte sa më të rëndë jetën e shqiptarëve. Kjo politikë që synonte të kthente në ferr jetën e tyre, e bënte këtë në mënyrë që të detyronte sa më shumë shqiptarë të shpërnguleshin nga trojet e tyre”, tha Kryeministri.
Ai më tutje theksoi se data kur është hapur Instituti për herë të parë, 29 korrik 1953, është saktësisht në 40-vjetorin e Konferencës së Londrës.
“Pra, thua se është treguar, që pavarësisht padrejtësisë së copëtimit të shqiptarëve, ka diçka që është e pandalshme dhe që jo vetëm vazhdon, por edhe bëhet institucion”, u shpreh ai.
Instituti Albanologjik, e ka pësuar politikën e kohës, por Instituti Albanologjik e ka kombëtarizuar edhe politikën edhe kohën, sidomos sot, kur ballafaqimi me gjuhë e me vlera të huaja kulturore është aq i madh e aq sfidues dhe kur kemi një rikthim të revizionizmit në histori dhe të gjeopolitikës në glob, Instituti Albanologjik pa dyshim që do të vazhdojë të jetë në qendër të zhvillimeve shoqërore, kulturore, linguistike e pse jo edhe politike të shtetit tonë e të kombit tonë, shtoi ndër të tjera kryeministri Kurti, duke thënë se përkrahja nga Qeveria dhe institucionet e Shtetit për Institutin, nuk do të mungojë.
Fjala e plotë e Kryeministrit Kurti:
Teksa i shikoja këto botimet e Institutit Albanologjik, e vërejta që kishte disa që nuk i kam, prandaj edhe Drejtori është i interesuar që të takohet me mua si Kryeministër, por edhe unë me drejtorin si Drejtor i Institutit, i cili i ka këto libra, të cilët mua po më mungojnë.
Unë ndihem veçanërisht i nderuar që marr pjesë në shënimin e këtij përvjetori të 70-të të themelimit të Institutit Albanologjik të Prishtinës. Natyrisht, 70 vjetët e ndonjë institucioni shkencor ndoshta nuk duken edhe shumë për popuj të ndryshëm evropianë, por, vetëm me një vështrim të shpejtë të historisë së themelimit të këtij Institucioni, dëshmon qartë se në këta 70 vjet, ky institucion kaloi nëpër peripeci të njëjta sikurse populli, gjuhën dhe kulturën e të cilit kishte marrë përsipër që ta studionte. Pra, 70 vjet të Institucionit Albanologjik janë shumë më shumë, se sa 70 vjet të një institucioni të popujve të tjerë evropianë. Kështu, megjithëse ishte institucion shkencor, ai kaloi nëpër trajtime të njëjta sikurse një individ shqiptar.
Jeta dhe veprimtaria e Institutit ishte e lidhur ngushtë me fatin e popullit që e përfaqësonte, me fatin e popullit shqiptar. Ashtu qysh në situata të caktuara, pushtetet okupatore shfaqeshin dorëlirë me ndonjë të drejtë të caktuar, në periudha të tjera, me po aq dorëlirësi brutale i hiqnin këto të drejta. Shqiptari në ish-Jugosllavi mund të gëzonte ndonjë të drejtë njerëzore e kombëtare sot, por befas, të nesërmen, arrestohej e burgosej pa ndonjë arsyetim, me shumë vite burg.
Diçka e ngjashme ndodhi edhe me Institutin tonë Albanologjik.
Vendimi zyrtar për themelimin e Institutit Albanologjik u shpall më 29 korrik 1953, megjithëse përgatitjet për këtë kishin filluar edhe më herët. Ai e nisi punën me katër punëtorë të parë, Elhami Nimanin, drejtor, Selman Rizën, Ali Rexhën dhe Mehdi Bardhin. Në planifikimet e para për themelimin e tij ishin të përfshirë edhe Anton Çetta, Idriz Ajeti, Esad Mekuli, Vojislav Dançetoviq, Mark Krasniqi, Zekerija Rexha, Sylejman Drini, Martin Camaj, Hasan Kaleshi e të tjerë. Instituti Albanologjik u bë institucioni i parë kërkimor-shkencor, që do të merrej vetëm me studimin e kulturës shpirtërore dhe materiale të shqiptarëve pas Luftë së Dytë Botërore.
Sidoqoftë, të merresh me të kaluarën, do të thotë të hedhësh dritë në të tashmen dhe në të ardhmen. Nga ky vështrim Instituti Albanologjik paraqet Institutin e dritës, sidomos për shqiptarët e Kosovës dhe për ata të trojeve të tjera nën ish-Jugosllavi.
E kaluara jonë, gjuha, doket dhe zakonet tona, përgjithësisht, nuk ishin të studiuara sa duhet, por edhe ato studime që ishin bërë deri në kohën e themelimit të Institutit Albanologjik, ishin punë e studiuesve të huaj.
Sidoqoftë, sado e largët që mund të duket, themelimi i Institutit ishte rezultat i një pune të gjatë e të gjithanshme, që kishte nisur qysh me punën e madhe iluministe të rilindësve tanë. Prandaj, Instituti Albanologjik është një lloj institucionalizimi i punës së rilindësve për shqiptarët si një komb i gjuhës.
Pastaj, një mjedis të duhur kulturor, pa dyshim, krijoi edhe hapja e një numri të madh të shkollave shqipe në Kosovë në periudhën e pushtimit italian, kur Ernest Koliqi organizoi ardhjen e qindra mësuesve në trojet shqiptare jashtë kufijve të Shqipërisë londineze. Ishte e pamundur për regjimin komunist jugosllav të propagandonte se kishte ardhur si “çlirimtar”, duke mbyllur shkollat në gjuhën shqipe, që ishin hapur në kohën e pushtimit italian e gjerman. Ishte krijuar tashmë edhe një shtresë e arsimuar shqiptare, e cila nuk mund të anashkalohej lehtë.
Pas Luftës së Dytë Botërore, duke qenë se shqiptarët u gjendën të ndarë në disa shtete të ndryshme, aleancat politike të këtyre shteteve përcaktonin në mënyrë të vrazhdë edhe fatin e tyre. Në këtë vorbull të krijimit dhe të prishjes së aleancave zuri fill edhe Instituti Albanologjik. Themelimi i tij, nga njëra anë, shprehte vullnetin e pandalshëm iluminist të shqiptarëve të Kosovës, që kishte marrë udhë tashmë, por, ndalimi i veprimtarisë së tij, pas tri vitesh, do të dëshmojë se armiqtë e shqiptarëve po vazhdonin me përpjekjet e tyre për ta penguar këtë zhvillim.
Veprimtaria jetëshkurtër e Institutit, në fazën e parë, hapja në vitin 1953 dhe mbyllja në dhjetor të 1955, ishte tregues i qartë i ballafaqimeve të pandalshme të shqiptarëve me politikën shoviniste serbomadhe të kohës, në krye të së cilës ishte ministri i atëhershëm, i Brendshëm, Aleksandër Rankoviq, që përpiqej me çdo kusht ta bënte sa më të rëndë jetën e shqiptarëve. Kjo politikë që synonte të kthente në ferr jetën e tyre, e bënte këtë në mënyrë që të detyronte sa më shumë shqiptarë të shpërnguleshin nga trojet e tyre.
Në këtë kohë nuk u mbyll vetëm Instituti, por shumë mësues e intelektualë u arrestuan, u burgosën dhe u mbytën nga torturat në zyrat e hetuesisë së UDB-së jugosllave.
Dhe, mua më bëri shumë përshtypje data kur është hapur Instituti për herë të parë, 29 korrik 1953, është saktësisht në 40-vjetorin e Konferencës së Londrës. Pra, thua se është treguar, që pavarësisht padrejtësisë së copëtimit të shqiptarëve, ka diçka që është e pandalshme dhe që jo vetëm vazhdon, por edhe bëhet institucion.
Sipas dëshmive të kohës, një nga arsyetimet se pse u mbyll Instituti në dhjetor të vitit 1955, ishte edhe prania e gjuhëtarit të madh, Selman Riza, i cili u deportua në Shqipëri me 12 dhjetor 1955, domethënë vetëm 13 ditë para se të mbyllej Instituti. Ndërsa, Hivzi Sylejmani, njëri ndër intelektualët e asaj kohe që e kundërshtoi haptas mbylljen e Institutit, u mor në pyetje nga një komision politik. Një nga anëtarët e këtij Komisioni kishte shprehur qartë se Instituti ishte mbyllur për shkak se “bashkon disa njerëz me frymë armiqësore”. Kjo tregonte që të merreshe me studimin e gjuhës e të historisë shqiptare mjaftonte që të akuzoheshe për “frymë armiqësore”.
Pas ndryshimit të klimës politike në Jugosllavi, rënies së Rankoviqit nga pushteti në fund të viteve ’60-ta, ra deri diku edhe presioni i ashpër serbomadh mbi shqiptarët. Këtë e dëshmon edhe rifillimi i punës së Institutit Albanologjik, edhe një datë tjetër sinjikative, 28 shkurt 1968, me drejtor Fehmi Aganin dhe bashkëpunëtorët, Idriz Ajetin e Rexhep Qosen. Kjo është faza kur Instituti Albanologjik merr hov dhe fillon me punën serioze për të cilën ishte themeluar. Që nga kjo kohë nisin studimet në shumë fusha, në gjuhësi, histori, folklor e etnologji. Rrjeti i bashkëpunëtorëve u zgjerua dhe u shtua edhe cilësia edhe numri i punimeve e botimeve shkencore.
Por, për fat të keq, kthimin e kohërave të errëta për popullin shqiptar, e dëshmoi prapë sulmi që iu bë Institutit Albanologjik nga policia serbe më 8 mars 1994, kur me dhunë, të rrahur e të përgjakur, punonjësit e tij u nxorën nga zyrat dhe u hodhën në rrugë. Të gjithë e mbajnë mend figurën krenare dhe fytyrën e përgjakur të Drejtorit, profesorit, Sadri Fetihut, kontributi i të cilit është i jashtëzakonshëm, duke iu falënderuar një zelli të pandalshëm që kishte. Edhe në këto kushte jashtëzakonisht të rënda, Instituti nuk e ndali punën, deri kur, pas luftës, u kthye në objektin e vet, në të cilin edhe ne po e shënojmë këtë 70-vjetor.
Instituti Albanologjik, natyrisht, ishte themeluar për tu marrë me punë e kërkime shkencore, por vetëm duke kaluar nëpër emrat e disa studiuesve të tij, do të kuptojmë se misioni i Institutit ishte shumë më largvajtës, shumë më i rëndë, por edhe shumë më kuptimplotë e krenar: Selman Riza, Esad Mekuli, Idriz Ajeti, Mark Krasniqi, Fehmi Agani, Rexhep Qosja, Ibrahim Rugova, Anton Çetta e shumë punonjës të tjerë, janë emra që sot paraqesin jo vetëm studiuesit tanë të shquar të fushave të ndryshme, por edhe intelektualët e veprimtarët e mirënjohur politikë, që në kohët më të vështira u vunë në ballë dhe i prinë popullit të tyre në mënyrat që ata mundën dhe ditën më së miri. Kështu mund të kuptohet lehtë se Instituti Albanologjik nuk ishte vetëm një institucion për thellimin e dijes për veten tonë, por edhe një institucion ndërgjegjësimi të lartësuar politik për veten tonë.
Kësaj çete dijetarësh të palodhshëm, sot, në 70-vjetorin e themelimit të Institutit Albanologjik, e këtij Instituti të gjuhës e kulturës sonë, ne u shprehim mirënjohjen tonë më të thellë, duke uruar që ky Institut, tash e tutje të merret me shkencën si gjithnjë, me studimin e gjuhës shqipe, me hulumtimin e historisë sonë, këngëve, të valleve, me doket dhe zakonet tona, por të ruajë njëkohësisht, me të njëjtin zell frymën dhe dritën e përhershme atdhetare që e kanë kultivuar me aq dashuri e kujdes brezat e parë të tij.
Sot, Instituti Albanologjik duhet, jo vetëm të ruajë cilësinë e studimeve të punonjësve të mëhershëm, që kanë bërë emër në shkencën albanologjike, por bashkërisht le të synojë më larg, edhe më lart, sa u përket të arriturave shkencore.
Duhet të mos harrojmë që qysh në vitet e para të themelimit Instituti kishte në gjirin e tij një emër të shquar si Selman Riza, një autoritet i padiskutueshëm në gjuhësinë shqiptare, pastaj kishte për drejtues Idriz Ajetin, po ashtu gjuhëtar të shquar, e më pastaj drejtimin e Institutit e mori akademik Rexhep Qosja, studiues dhe autoritet në fushën e historisë së letërsisë shqipe, që të gjithë personalitete shkencore, që kanë lënë vulën e tyre në kohën kur kanë punuar dhe drejtuar këtë institucion shkencor ose ndaras ose së bashku në periudha të ndryshme.
Instituti, pa dyshim, besoj që duhet të synojë që të jetë në hap me kohën, ndërsa përkrahja nga institucionet e shtetit, nga Qeveria e Republikës, nuk do të mungojë.
Në botën e sotme teknologjike Instituti duhet të komunikojë më dendur edhe në mënyrë më praktike me një audiencë sa më të gjerë dhe jo vetëm në gjuhën shqipe e jo vetëm me studiues shqiptarë, por të nxisim sa më shumë e më fort edhe studiues të huaj, që të bashkëpunojnë me projekte të ndryshme që lidhen me shqipen dhe me shqiptarët.
Në një botë digjitale nuk mund të paramendohet mbyllja dhe kufizimi i qasjes në punën shkencore. Ne kemi shumë për të mësuar prej të tjerëve, por qe besa edhe të tjerët kanë shumë e shumë që të mësojnë prej nesh.
Instituti Albanologjik, e ka pësuar politikën e kohës, por Instituti Albanologjik e ka kombëtarizuar edhe politikën edhe kohën, sidomos sot, kur ballafaqimi me gjuhë e me vlera të huaja kulturore është aq i madh e aq sfidues dhe kur kemi një rikthim të revizionizmit në histori dhe të gjeopolitikës në glob, Instituti Albanologjik pa dyshim që do të vazhdojë të jetë në qendër të zhvillimeve shoqërore, kulturore, linguistike e pse jo edhe politike të shtetit tonë e të kombit tonë.
Jam i bindur se Instituti Albanologjik me punën dhe përkushtimin që e ka pasur dhe që e ka, do t’ia dalë mbanë këtij misioni fisnik. /FolDrejt/