Kryetari i Komunës së Gjilanit, Lutfi Haziri, ka thënë se i prekuri me koronavirus nga fshati Zhegër, është shëruar plotësisht dhe se shumë shpejt, ky fshat pritet të dalë nga karantina.
“Në vetizolim jemi duke i mbajtur 11 qytetarë. Në ditët në vijim, fshati Zhegër do të lirohet nga karantinimi, sepse atje tashmë është shëruar plotësisht një pacient dhe të gjitha testet kanë dalë negative dhe nuk ka më asnjë të prekur, për çka edhe po kumtojmë këtë lajm të mire”, ka thënë ai.
Sipas tij, deri më tash janë shëruar 4 qytetarë të Gjilanit.
“Me simptoma të lehta janë edhe dy qytetarë që janë duke vazhduar trajtimin shëndetësor në Klinikën Infektive, derisa dy rastet që kanë ardhur nga Zvicra janë duke vazhduar karantinën sipas vendimeve në fuqi, por pa kontakte me familjet e tyre”, ka thënë Haziri, përcjell KP-ja.
Deri më tash në Gjilan janë 16 qytetarë të infektuar me Covid-19.
“Rasti i fundit i paraqitur më 7 prill i një qytetari 56-vjeçar është i lokalizuar dhe po përcillet me kujdesin maksimal të mjekëve dhe ekipeve emergjente. Bazuar në historikun e kontakteve, ai si komercialist ka pas kontakte jashtë Gjilanit dhe si duket prekja me virusin ka ndodhur jashtë Komunës sonë. Gjendja e pacientit është duke u monitoruar, por sipas ekipeve mjekësore, gjendja e tij sot është më e mirë, ndërsa familja është vetizoluar dhe nuk ka vend për shqetësim”, tha Haziri.