Kur jemi dy ditë përpara përballjes Chelsea-Milan në Champions League, Andryi Shevchenko , ish-dyfishi i madh i kësaj ndeshje, pasi ka luajtur me të dy ekipet gjatë karrierës së tij, ka folur për këtë sfidë “speciale” për të.
Për “Milan TV”, ish lojtari i njohur ka theksuar se do të jetë një nga ndeshjet më të zjarrta të kësaj jave, ndërsa nuk kaloi pa dhënë edhe mendimin e tij për talentin e kuqezinjve, Rafael Leao.
“Do të ketë një atmosferë shumë të nxehtë. Chelsea duhet të fitojë dhe do të rrisë shumë ritmin, por Milani ka lojtarë cilësorë. Do të jetë një ndeshje speciale për Giroud që luajti për Chelsean, ai po luan shumë mirë, ai do të jetë qendra e kësaj ndeshjeje.
Leao po bëhet lider. Në Londër ai do të ketë shansin të tregojë cilësitë e tij të mëdha edhe në Champions League, që është një kompeticion ndryshe nga Serie A. Leao është një talent i madh që mund të bëjë diferencën edhe në këto ndeshje”, ka deklaruar Shevchenko./FolDrejt/