Blerta Deliu Kodra, e ka paditur Albulena Haxhiun, për shpifje, shkruan Fol Drejt.
Deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se akuzat që ia veshi Ministrja e Drejtësisë Albulena Haxhiu, se i ka marr mbi 2500 euro dhe nuk ka shkuar në Komisionin për Kompensimin e Viktimave të Krimit, s’janë veçse shpifje.
“Shpifjeve të pushtetit i përgjigjemi me padi” – ka shkruar Deliu Kodra në profilin e saj në Facebook.
“Në Gjykatë, sot kam dorëzuar padinë për shpifje ndaj Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu – aty ku të pavërtetat e saj në studio televizive pres të marrin përgjigjen e merituar” – ka vijuar ajo.
Sipas Deliu Kodrës, tendenca që me shpifje dhe fyerje ndaj opozitës, “me e zhvendosë vëmendjen nga skandalet korruptive të kësaj qeverie, nuk kalon.”
Ky është statusi i saj i plotë:
Shpifjeve të pushtetit i përgjigjemi me padi.
Në Gjykatë, sot kam dorëzuar padinë për shpifje ndaj Ministres së Drejtësisë, Albulena Haxhiu – aty ku të pavërtetat e saj në studio televizive pres të marrin përgjigjen e merituar.
Tendenca që me shpifje dhe fyerje ndaj opozitës me e zhvendosë vëmendjen nga skandalet korruptive të kësaj qeverie, nuk kalon. As nuk frikësohemi e as nuk zmbrapsemi nga angazhimi ynë për të denoncuar krimin dhe korrupsionin e këtij pushteti.
Shihemi në gjykatë, Albulenë!