Prokuroria e Lartë Publike në Beograd ka njoftuar se ka marrë në pyetje kryekriminelin Milan Radojiçiq. Sipas njoftimit të kësaj Prokurorie, Radojiçiq është dërguar në mbajtje për veprat penale ‘prodhim, posedim, mbajtje dhe shitje e armëve pa leje’, si dhe vepra kundërvajtëse të rënda të sigurisë së përgjithshme.
Media nga Serbia kanë raportuar se Radojiçiq i ka mohuar veprat e lartcekura penale, përcjell Gazeta Insajderi.
Pas seancës, prokuroria i propozoi gjyqtarit të procedurës paraprake të Gjykatës së Lartë në Beograd që të caktohet masa e paraburgimit për të dyshuarin për shkak të rrezikut të arratisjes.
Ministria e Brendshme e Serbisë bëri të ditur më herët se ia ka kontrolluar banesën dhe ambientet e tjera të Radoiçiqit dhe se atij i është shqiptuar masa e ndalimit për 48 orë. Kujtojmë se para disa ditësh, Radoiçiq përmes një letre që e lexoi avokati i tij pranoi se ka organizuar sulmin terrorist në Banjskë të Zveçanit.